Kryesore Refuzoi takimin me Ramën, opozita kundër Kurtit: Kryeministri i Shqipërisë është i...

Refuzoi takimin me Ramën, opozita kundër Kurtit: Kryeministri i Shqipërisë është i mirëseardhur në Kosovë

Edi Rama dhe Lumir Abdixhiku

Refuzimi i kryeministrit Albin Kurti për pritjen e homologut shqiptar Edi Rama në Prishtinë ka ngjallur mjaft polemika.

Opozita e ka kritikuar ndjeshëm këtë veprim.

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pas një takimi me analistët në vend, tha se Rama është i mirëseardhur në Kosovë.

“Natyrisht se kryeministri i Shqipërisë është i mirëseardhur në Kosovë. Çdo kryeministër i Shqipërisë duhet të jetë gjithmonë i mirëseardhur në Kosovë. Fakti që ne e diskutojmë një çështje të tillë, nëse duhet të mirëpritet një kryeministër i Shqipërisë tregon shumë për gjendjen në të cilën ka ardhur Kosova dhe nuk mund ta normalizojmë këtë gjendje sinqerisht. Kryeministri i Shqipërisë, pozicioni i tij, atë që përfaqëson ai dhe populli shqiptar janë të mirëseardhur në shtëpinë e tyre në Kosovë, gjithmonë”, tha kreu i LDK, Abdixhiku.

Ndërkohë, Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se Kurti duhet ta presë Ramën.

“Nëse vjen kryeministri Edi Rama po vjen për shqetësimet e reja. Mendoj që Kurti është mirë me pritë. Situata është serioze mendoj që duhet me prit. Situata është serioze, po shkojmë në një izolim. Nuk guxojmë që t’i mbyllim të gjitha dyert”, deklaroi Haradinaj.

Kryeministri Rama do të jetë në Prishtinë në kuadër të Turit Ballkanik, i cili ka të bëjnë me përgatitjet për mbajtjen e samitit të radhës të Procesit të Berlinit.

Por Kurti tha se më emergjente është mbledhja e shtyrë mes dy qeverive.

“Unë miqësisht i kam kërkuar meqë do vijë në Prishtinë, ta mbajmë edhe mbledhjen e dy qeverive që u anuluan paarsyeshëm. Të gjitha përgatitjet i kishim bërë, marrëveshjet kanë mbetur në sirtar. Nga to përfitojnë qytetarët, çdo ditë e humbur është dëm për ta. I kam propozuar që ta mbajmë një mbledhje të përbashkët të dy qeverive tona. T’i nënshkruajmë ato marrëveshje.”

Teksa theksoi se ai është një nga mbështetësit më të zjarrtë të Procesit të Berlinit, kreu i ekzekutivit në Kosovë, kujtoi se tetori është ende larg, ndërsa marrëveshjet e lëna pezull mes dy qeverive duhet të firmosen sa më shpejt.

Nëse Rama e refuzon këtë kërkesë të Kurtit, atëherë ai theksoi se takim bilateral mes dy liderëve nuk do të ketë, pasi siç deklaroi, me homologun e tij nga Shqipëria është në kontakt të vazhdueshëm.