Sport Reja: Në kombëtarë kam një futbollist problematik

Reja: Në kombëtarë kam një futbollist problematik

Trajneri Edi Reja ka zgjedhur mesfushorin Odisë Roshi si futbollistin më problematik në Kombëtare. Duke folur për për Orinda Hutan në “Jo Vetëm Modë”, tekniku italian tha që Odise Roshi ndonjëherë me sjelljen e tij i sos durimin, por nuk i kurseu elozhet për “yllin” kuqezi.

“…(duke qeshur) Djemtë sillen me shumë respekt, kemi ndërtuar një marrëdhënie shumë të mirë me njeri- tjetrin, jemi të bashkuar.Por meqë më pyet, ai që ma sos durimin në mënyre të pashembullt është Roshi. Sepse Roshi ka cilësi shumë të veçanta si lojtar, mirëpo ka këtë problem, që ai nuk është asnjëherë aty. Përqendrimi nuk është pjesë e jetës së tij. Ndonjëherë e merr aq me të lehte, sa…Jo se nuk e bën dot, sikur vetëm të përfshihej pak më shumë.

Se ç’bën në fushë… e mban kokën ulur, shikon barin… këto gjera ma heqin trurin. Por, ka dhunti të jashtëzakonshme. Goditjen, forcën, i ka të gjitha. Kur është në loje, s’e kap dot njeri”, deklaroi Reja.

Tekniku 73-vjeçar është i kënaqur me fitoren ndaj Islandës ndërkohë që shton se i këshillon shpesh djemtë kuqëzi se si duhet të orientohen në fushën e lojës.

“Duhet të jenë të vetëdijshëm, se individualizmi në një skuadër, nuk ekziston. Kur shikoj lojtarë që mendojnë për veten, që duan të bien në sy, nuk më pëlqen. Është e domosdoshme të mendojnë si skuadër. Pak nga pak, po e mësojmë këtë të gjithë bashkë. Pastaj është edhe pjesa taktike, shumë e nevojshme të jenë të përqendruar”, sqaroi Reja.

Shqipëria do të luajë ndeshjen e radhës 11 tetor ndaj Turqisë dhe tre ditë më pas ndaj Moldavisë në transfertë.