Bota Rikthim në vendet e punës, qeveria britanike jep dritën jeshile, synohet rikuperimi...

Rikthim në vendet e punës, qeveria britanike jep dritën jeshile, synohet rikuperimi i ekonomisë

Qeveria britanike pritet të nxisë qytetarët të kthehen në zyra ose në vendet e sigurta të punës për të ndihmuar në rikuperimin e ekonomisë nga pandemia e COVID-19. Ka qenë ministri i Transporteve, Grant Shapps, që e ka komunikuar këtë vendim.

“Po, gradualisht njerëzit do të fillojnë të kthehen në zyra, por unë besoj se do të shohim një punë më fleksibël nga sa kemi parë në të kaluarën dhe do t’i takojë punëdhënësit dhe punonjësit që të gjejnë ekuilibrin e duhur për problemet e tyre”, u shpreh ministri britanik i Transporteve.

Ndërkohë, kryeministri Boris Johnson do të nisë një fushatë për të nxitur kthimit në vendet e punës dhe do të japë garancinë se kthimi është i sigurt. Një aplikacion i ri online do të ndihmojë njerëzit të shmangin oraret e pikut në trena dhe autobusë.

Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht vetëm 17 për qind e punonjësve ne Britani janë kthyer në punë në fillim të gushtit, shifër kjo që nënvizon sfidën e madhe me të cilën përballet Johnson për të nxjerrë vendin nga pasojat e bllokadës së koronavirusit.

Muajin e kaluar, Johnson inkurajoi njerëzit që punonin nga shtëpia të ktheheshin në vendet e punës për të ndihmuar në rikuperimin e ekonomisë.

Në periudhën prill-qershor ekonomia britanike ra me 20%.