Sport Ronaldo do mungojë ndaj Atalantës, Sarri: Nuk kemi për çfarë të sqarohemi

Ronaldo do mungojë ndaj Atalantës, Sarri: Nuk kemi për çfarë të sqarohemi

Cristiano Ronaldo praktikisht humb ndeshjen me Atalantën në Bergamo. Trajneri i Juventusit, Maurizio Sarri, deklaroi se ekziston vetë, 1 për qind mundësi që CR7 të jetë në gjendje për të luajtur kundër Berat Gjimshitit me shokë.

Portugezi u kthye me probleme fizike nga impenjimi me kombëtaren, për këtë arsye po ndjek një program individual stërvitor, për të lënë pas shqetësimin muskulor të javëve të fundit. Objektivi i stafit të bardhezinjve është të jetë i gatshëm për ndeshjen e Championsit kundër Atletico Mdridit.

“Mes meje dhe tij, – shpjegoi Sarri në konferencën për shtyp, – nuk është i nevojshëm asnjë sqarim pas zëvendësimit kundër Milanit. Janë gjëra normale që ndodhin gjithmonë. Në Bergamo, me 99 për qind të mundësive nuk do të jetë. Problemi është se të martën, në takimin me Cristianon, ai më tha se në ndeshjen e dytë të Portugalisë ishte prekur nga problemi që po e shqetëson në javët e fundit. Ai po stërvitet në mënyrë të personalizuar dhe qëllimi është që ta kemi gati për Atletico Madrid, në Ligën e Kampionëve”.

E sigurisht, në vijim të përgjigjes për marrëdhënien e tij me Ronaldon, Sarri sqaroi: “Edhe kur luajnë diletantët, ka gjëra të tilla në momentet e ndërrimeve. Unë vij nga vitet ‘90 dhe ose do ta kaloja kohën duke sqaruar ose do të mësohesha me raste të tilla dhe do t’i lija futbollistët të shfrynin.”

Trajneri i Juventusit komenton më pas kundërshtarin e nesërm, i cili e shqetëson: “Atalanta nuk është vetëm e bezdisshme nga pikëpamja fizike, por ka edhe shumë cilësi teknike. Në fakt ka sulmin më të mirë në kampionat. Përcaktimi i Guardiolës është i drejtë: të luash kundër saj është si të shkosh te dentisti. Pra, mund të dalësh mirë, por me dhimbje”.

Mbi gjendjen e disa lojtarëve, pas pushimit ndërkombëtar, Maurizio Sarri është shumë i qartë dhe përshkrues:  “Lëndimi i Alex Sandro është më pak serioz sesa ai na kishte komunikuar nga Brazili. Ne kemi një problem me Rabio dhe një dëmtim të shpinës të Cuadrado. Pjanic po bën mjaft mirë. Matuidi është rikuperuar, edhe pse ka akoma dhimbje në pjesën e brinjëve, por unë mendoj se është plotësisht i disponueshëm. Kjo është situata pas ndeshjeve të kombëtareve”.