Bota Samiti i klimës në Glasgou, zhgënjen India: Zero emetime në vitin 2070

Samiti i klimës në Glasgou, zhgënjen India: Zero emetime në vitin 2070

Disa prej ndotësve më të mëdhenj në botë, ishin në qendër të vëmendjes në ditën e parë të COP26, samiti botëror për klimën. Ndërsa shkencëtarët dhe aktivistët kërkojnë angazhim të fortë për të arritur neutralitetin e emetimeve karbonike në 2050-tën, kryeministri indian, Narendra Modi. tha në fjalën e tij se India mund ta bënte këtë dy dekada më vonë, në 2070-tën.

“India do të rrisë kapacitetin e energjisë jo-fosile në 500 gigavat deri ne 2030. Do të përmbush 50 përqind të nevojës për energji, nga burime të rinovueshme deri në 2030 dhe do të reduktojë emetimet e karbonit me 1 miliard ton. Në 2070 do të arrijmë objektivin e zero emetimeve neto”, u shpreh Narendra Modi, kryeministër i Indisë.

India përbën 17perqind të popullsisë botërore dhe është ndotësi i tretë më i madh në botë. Modi theksoi se po i përmbahej zotimeve të Parisit për frenimin e ngrohjes globale në 1,5 grade celsius, por për ta bërë këtë bota duhet të arrijë neutralitetin karbonik në 2025. Kina njoftoi planet për zero emetime neto nga 2060-ta, ndërsa SHBA dhe BE bënë të ditur se synonin ta përmbushnin objektivin në 2050-tën.

“Sot bëj publike strategjinë afatgjatë të SHBA, që parashikon arritjen e qëllimit për zero emetime neto jo më larg se 2050-ta dhe përforcon vendimmarrjet për klimën në një dekadë decizive”, tha Biden

“Pikë së pari angazhohemi fuqishëm për të reduktuar emetimet deri në 2030. Neutraliteti i emetimeve në 2050 është diçka e mirë, por nuk mjafton. Na duhet veprim i prekshëm qe këtë dekadë”, u shpreh Ursula von der Leyen, presidente e KE. Dhjetëra liderë botërorë parashtruan planet e tyre për të luftuar krizën klimatike, përfshirë kryeministrin britanik Boris Johnson dhe presidentin francez Emanuel Macron. Guterres kërkoi që t’i jepej fund trajtimit të tokës si një tualet dhe paralajmëroi se njerëzit po hapnin varret e veta.