Kryesore Serbët, taksa dhe bashkimi me Shqipërinë, Albin Kurti rrëfen se çdo bëjë...

Serbët, taksa dhe bashkimi me Shqipërinë, Albin Kurti rrëfen se çdo bëjë si kryeministër

Albin Kurti, në një intervistën për të përditshmen vjeneze “Standard”, ka theksuar se nëse bëhet kryeministër, ai do të nisë dialogun me serbët e Kosovës.

“Asnjë kryeministër nuk ka dialoguar me qytetarët serbë të Kosovës, e dialogu ka shumë rëndësi. Në muajt e parë, ne do të shohim pozicionin tonë pas 33 marrëveshjeve që kemi arritur me Beogradin deri tani. Unë do të kërkoj një takim me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borel. Dhe nuk e kemi fare problem se ai vjen nga Spanja, një shtet që nuk e njeh Kosovën”, ka thënë Kurti për “Standard”.

Megjithatë, Kurti e pranoi se nuk pati aq gëzim për zgjedhjen e Borel si pasardhës të Federica Mogherinit. Edhe pse ajo vjen nga një vend që e njeh Kosovën, puna e saj nuk u pa si frytdhënëse as nga pala serbe e as nga ajo shqiptare.

Por për Kurtin, është me rëndësi që dialogu ka garantues dhe ka njerëz që e përfaqësojnë mirë Kosovën. Për të, një dështim i radhës do të ishte i papërballueshëm.

Kurti ka pohuar se kur të marrë postin e kryeministrit, ai do të jetë përfaqësues i të gjithë serbëve.

“Natyrisht se po. Unë besoj se ka serbë që mendojnë se unë i përfaqësoj më mirë se Vuçiçi”.

Ndërsa sa i përket taksës, Kurti tha se kjo nuk është politikë e tij.

“Ne do të zëvendësojmë taksën dhe parimin e reciprocitetit. Për shembull, Beogradi duhet t’i njohë dokumentet tona ku figuron Republika e Kosovës. Ne duam ta sqarojmë fatin e personave të zhdukur, pavarësisht nga nacionaliteti i tyre. Ne duam të bëjmë punën tonë; t’i gjejnë të zhdukurit edhe nga komuniteti serb dhe rom.

Qëllimi është që të krijohet një ekip hetuesish të përbërë nga serbët, shqiptarët dhe ndërkombëtarët, të cilët do të analizojnë të gjitha vendet ku dyshohet se ka varreza masive”, tha Kurti.

I pyetur nëse është i gatshëm të nënshkruajë një marrëveshje me Beogradin, Kurti tha se raportet e mira fqinjësore janë me rëndësi dhe se pa njohje të dyanshme nuk ka anëtarësim në BE për asnjërën palë.

“Në çfarëdo llogaritje, do të doja t’i shihja të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që t’i bashkohen BE-së brenda një dekade”, tha Kurti.

I pyetur nëse Serbia do të dëshironte kompensim nga njohja e Kosovës, dhe nëse ai kompensim do të ishte krijimi i Asociacionit të Komunave Serbe, Kurti tha se Gjykata Kushtetuese e vendit e konsideron atë si jokushtetuese.

“Çfarë ndodh pastaj? Asnjë serb në Kosovë nuk proteston, vetëm Beogradi. Asociacioni nuk është për serbët e Kosovës, por për politikat e Serbisë. Ne duhet t’i pyesim serbët çfarë duan. Beogradi nuk mund të flasë në emër të qytetarëve tanë serbë në Kosovë”, tha Kurti.

I pyetur se çfarë duan vërtetë serbët në Kosovë, Kurti tha se ata kanë tashmë një sigurim shëndetësor përmes strukturave paralele, të cilin Kosova nuk e ofron, dhe shtoi se nuk do ta kushtëzojnë atë për arsye njerëzore. Ai shtoi se të tjerat shërbime, duke nisur nga prania në parlament, institucione, komuna dhe si shërbyes civilë, është e drejtë e zbatueshme për të cilën as ata vetë nuk ankohen.

Duke folur për “merakun e tij”, ai theksoi se nacionaliteti shqiptar është nacionalitet natyror, dhe se Shqipëria e Kosova janë dy shtete, por një komb, domethënë si dy Gjermani, por jo si Gjermania dhe Austria.

I pyetur nëse ai ishte ende favorizues i unifikimit me Shqipërinë, ai u përgjigj se beson se njerëzit do të votonin për të nëse do të kishte një referendum.

“Megjithatë, referendumi për këtë çështje nuk lejohet. Prandaj do të respektoj Kushtetutën derisa një ditë të jemi në gjendje ta ndryshojmë në mënyrë paqësore dhe demokratike. Por kjo nuk do të ndodhë shpejt”, shpjegoi ai.