Aktualitet Shahini: Pranimet për mësuesi me mesatare 8, Mjekësia do ta ketë edhe...

Shahini: Pranimet për mësuesi me mesatare 8, Mjekësia do ta ketë edhe më të lartë

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini deklaroi sot në Kuvend se nota mesatare për degën e Mësuesisë do të shkojë 8, ndërsa dega e Mjekësisë do të ketë një notë akoma më të lartë mesatare.

Në interpelancën e kërkuar nga deputetë të opozitës mbi përcaktimin e kriterit të notës mesatar, Shahini tha se “ky vendim është i rëndësishëm për përmirësimin e cilësisë së arsimit të lartë parauniversitar në Republikën e Shqipërisë. Politikat arsimore që i kanë paraprirë këtij vendimi, janë dy ndërhyrje kryesore që bëhen në sistemin parauniversitar, e para është te kurrikulat dhe tekstet shkollore, pra tek përmbajtja e asaj që mësojnë nxënësit në shkollë dhe tjetra është tek mësuesit se sa të mirëarsimuar janë ata”.

“Pas këtyre ndërhyrjeve tekstet shkollore janë përmirësuar, tekstet shkollore të shkencave janë marrë nga botuesit prestigjioz dhe janë përzgjedhur nga mësues dhe sot një pjesë e tyre jepen falas për nxënësit. Nga shtatori nxënësit do punojnë me tekstet e reja shkollore”, tha Shahini.

Ajo shtoi se, “tek cilësia e mësuesve kemi një numër të madh mësuesish në sistem që nuk janë të nivelit që duhet të jetë një mësues. Kjo për shkak se në kohën kur Partia Demokratike ka menaxhuar sistemin arsimor ka shkatërruar tërësisht figurën e mësuesit në dy mënyra. Ka punësuar mësues në baza partiake dhe e dyta kanë hapur universitete si Kristali dhe Vitrina që kanë prodhuar mësues që nuk kanë qenë asnjë ditë në shkollë”.

“Në kohën e PD mbi 60 % e nxënësve kanë qenë analfabetë funksional. Në vitin 2015 pas një viti e gjysmë menaxhim nga PS kjo shifër ra ndjeshëm. Ne e pamë të arsyeshme që t’i orientojmë ata më të mirët drejt formimit akademik”, u shpreh Shahini.

Shahini tha se, “qëllimi për përcaktimin e notës mesatare për pranimin në ciklin e parë dhe të dytë të studimeve është mbështetje e strategjive në funksion të përmirësimit të shërbimit të arsimit të lartë dhe mbështetja e arsimit profesional. Duhet t’i jepet një fuqizim edhe arsimit profesional për të kontribuar në tregun e punës. Ligji i arsimit të Lartë të vitit 2015 i jep këshillit të ministrave tagrin për përcaktimin e një note mesatare”.

“Do e çojmë në 8 notën mesatare për degën e Mësuesisë. Universiteti i Mjekësisë ka vendosur të shkojë përtej vendimit tonë duke vendosur edhe një notë akoma më të lartë mesatare. Kam biseduar me shumë maturantë. I kam njoftuar për vendimin që do merret. Kemi pasur edhe kritika. Miratimi ka qenë nga ata pedagogë që kërkojnë një selektim, ndërsa kritikë kanë qenë ata që mendojnë se do zvogëlohet numri i nxënësve për lëndën e tyre”, përfundoi ministrja Shahini.