Kryesore SHBA dërgon për herë të parë në Norvegji “mesazhe bombarduese” për Rusinë

SHBA dërgon për herë të parë në Norvegji “mesazhe bombarduese” për Rusinë

Forcat Ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë dërguar për herë të parë avionë bombardues B-1 në Norvegji, për t’i dërguar një mesazh të qartë Rusisë se ushtria amerikane do të mbrojë aleatët e saj në rajonin e Arktikut, ndaj çdo agresioni të Moskës pranë kufirit norvegjez.

Sipas burimeve të CNN, 4 avionë B-1 dhe rreth 200 personel i forcave ajrore janë dërguar në Bazën Ajrore Orland të Norvegjisë. Deri tani, misione të tilla në Arktik ishin lënë në dorë të Mbretërisë së Bashkuar.

Komandanti i Forcave Ajrore amerikane në Evropë dhe Afrikë, gjenerali Jeff Harrigian, u shpreh: “Aftësia dhe gatishmëria jonë operacionale për të mbështetur aleatët dhe partnerët, si dhe aftësia për t’u përgjigjur shpejt, janë të rëndësishme për të pasur sukses”.

“Investimet e fundit ruse në Arktik përfshijnë një rrjet asetesh sulmuese ajrore dhe një sistem raketor bregdetar”, paralajmëronte Barbara Barret, sekretare e Forcave Ajrore gjatë administratës Trump.

Muajt e fundit, Pentagoni ka dërguar avionë bombardues B-52 në Lindjen e Mesme, për të treguar aftësinë e SHBA-së për të bërë lëvizje të shpejta ushtarake në rajonet e tensionuara.