Kryesore “SHBA dhe aleatët, gati për t’u përballur me çdo kërcënim ndaj NATO-s“

“SHBA dhe aleatët, gati për t’u përballur me çdo kërcënim ndaj NATO-s“

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Lituani, tha se Rusia ka kërkuar që të minojë demokracinë e Lituanisë dhe të mbjellë polarizimin me sulme kibernetike dhe dezinformata. Ai gjithashtu tha se SHBA dhe Lituania janë të bashkuara për të qëndruar krah Ukrainës, ndërkohë që pushtimi rus është në ditën 12-të të konfliktit.

Shtetet e Bashkuara vazhdojnë përforcojnë mbrojtjen e përbashkët, tha Blinken, në mënyrë që SHBA dhe aleatët të jenë gati për t’u përballur me çdo kërcënim. Kjo përfshin dërgimin e 7 mijë forcave të tjera amerikane në Europë dhe ripozicionimin e të tjerave për të forcuar krahun lindor të NATO-s.

Blinken ritheksoi angazhimin ‘e shenjtë’, të SHBA ndaj nenit 5 të NATO-s, se sulmi ndaj një vendi anëtar është sulm ndaj të gjithëve, ndërsa shtoi: “Ne do të mbrojmë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s”.