Bota Shërueshmëria nga koronavirusi në Kinë arrin nivelin 80%

Shërueshmëria nga koronavirusi në Kinë arrin nivelin 80%

Kina vijon të japë informacion inkurajues përsa i përket situatës me virusin Covid-19 që e pati origjinën pikërisht nga ky vend, në qytetin e quajtur Wuhan.

Autoritet shëndetësore kineze, me anë të një komunikate, bëjnë me dije se ditën e sotme bilanci nga koronavirusi është më i ulëti.

Sipas të dhënave më të fundit, krahasuar me 24 orë më parë, në Kinë janë regjistruar vetëm 8 raste të reja me virusin e ri dhe 7 viktima, të gjitha këto në provincën e Hubei, përveç një rasti në Shandong.

Numri i pacientëve që kanë lënë spitalin është 1318, duke e çuar numrin e të shëruarve totalisht në 64 mijë ose përkthyer ndryshe 80% e të prekurve, shifër kjo që do të vijojë të rritet në ditët në vijim.

Autoritetet kineze kanë disa ditë që shënojnë ulje drastike të numri të të prekurve me koronavirus dhe për këtë arsye kanë nisur të ofrojnë ndihmë për vendet e tjera që po kalojnë të njëjtën situatë.

Vetëm një ditë më parë mbërriti në Itali një ekip mjekësh kinezë dhe medikamente për të ofruar asistencë në kalimin e këtyre ditëve.