Aktualitet Shpërthimi tek banesa e Dukës, Meta: Institucionet të zbardhin këtë akt terrorist

Shpërthimi tek banesa e Dukës, Meta: Institucionet të zbardhin këtë akt terrorist

Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas shpërthimit tek banesa e kreut të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka.

Në një postim në mediat sociale, Meta kërkon zbardhjen e kësaj ngjarje. Presidenti shprehet se ky është një akt i rëndë kriminal.

“Dënoj me forcë aktin terrorist në familjen e Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, z.Armando Duka dhe u bëj thirrje të gjithë institucioneve ligjzbatuese të zbardhin me transparencë këtë ngjarje shumë të rëndë.

Një akt i tillë kriminal, në vijim të dhunës verbale, shantazhit dhe presioneve publike, shton emergjencën për ndalimin sa më parë dhe nxjerrjen para drejtësisë të frymëzuesve dhe autorëve”, shkruan Presidenti.

Basha: Drejtësia të mos qëndrojë duarkryq

Edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar pas shpërthimit të një sasie tritoli në banesën e kreut të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.

Në një postim në mediat sociale, Basha shkruan se  situata e tensionuar duhet të ndërpritet menjëherë dhe kërkon nga drejtësia hetim.

“Zhvillimet rreth FSHF-së, tregojnë edhe njëherë degradimin e një pushteti të korruptuar që qëllim të vetëm ka zaptimin me çdo mjet, të çdo institucioni. Strategjia e tensionit e shpalosur ditën e sotme, që kulmoi me eksplozivin e vendosur këtë mbrëmje në banesën e familjes Duka duhet të ndërpritet me urgjencë dhe drejtësia të mos qëndrojë duarkryq”, shkruan kreu i PD.