Politika Shqipëria dërgoi 60 infermierë për të ndihmuar Italinë, SHBA dhe BE: Gjest...

Shqipëria dërgoi 60 infermierë për të ndihmuar Italinë, SHBA dhe BE: Gjest i shkëlqyer

Ambasadori i Bashkimit Europian në vendin tonë, Luigi Soreca, ka përshëndetur veprimin e Shqipërisë, e cila sot dërgoi ekipin e dytë me 60 infermierë për të ndihmuar shtetin e Italisë në përballimin e pandemisë globale të COVID-19. Me një shënimi në rrjetin social “Facebook”,  ambasadori Soreca e konsideron këtë veprim si “të shkëlqyer”.

“Një tjetër gjest i shkëlqyer solidariteti nga Shqipëria. Sot 60 infermierë shqiptarë fluturuan në Itali për të dhënë kontributin e tyre në luftën kundër COVID-19. Solidariteti është në zemër të vlerave të BE. Faleminderit shumë Shqipëri!”, shkruan Soreca.

Gjithashtu, ky gjest i Shqipërisë nuk ka kaluar pa marrë vlerësimin edhe të ambasadores së SHBA në Tiranë, Yuri Kim. Ajo thekson se Shqipëria meriton një falënderim special për aktin e solidaritetit, që ka treguar me fqinjin e saj.

“Si shtet anëtar i NATO-s në betejën e përbashkët nga COVID-19, një falënderim special Shqipërisë për dërgimin e infermierëve në Itali! Ne jemi NATO”, shkruan ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim.

Kim ka postuar edhe një video të ambasadores së SHBA në NATO, Kay Bailey Hutchinson, e cila është shprehur se, “lidhja jonë si aleatë të NATO-s mbetet e pathyeshme dhe së bashku do të mbizotërojmë”.

“Javët e shkuara kemi parë shumë histori inspiruese sesi aleatët bashkëpunojnë në këto kohë të vështira. Doktorë kanë udhëtuar nga Shqipëria dhe Polonia për të ndihmuar kolegët e tyre italianë”, ka theksuar ambasadorja Hutchinson.

Pavarësisht faktit se Shqipëria vijon të përballet me pandeminë globale të COVID-19, ajo ka zgjedhur të qëndrojë në krah të Italisë për ta ndihmuar sadopak në këtë gjendje aspak të zakontë.