Aktualitet Si është kthyer porti historik belg në kryeqytetin europian të kokainës

Si është kthyer porti historik belg në kryeqytetin europian të kokainës

Vrasja e një shqiptari, pak ditë më parë, i goditur gjashtë herë me pistoletë teksa po kthehej në apartamentin e tij në Antverp, për autoritetet policor është vetëm maja e ajsbergut që sheh portin e rëndësishëm belg si vendngjarja e një lufte të përgjakshme bandash për kontrollin e trafikut të kokainës që vjen nga Amerika e Jugut dhe më pas shpërndahet në gjithë kontinentin europian.

Bledar Muca

Bledar Muça, një personazh i njohur edhe nga policia shqiptare, është episodi i fundit i një historie komplekse ku trafiku i drogës ndërthuret me korrupsionin e autoriteteve belge, ku nuk mungojnë individë mes tyre të joshur dhe tunduar nga një sasi parash të jashtëzakonshme.  Shqiptari me pasaportë britanike shihet nga autoritetet si personazh i rëndësishëm në 2 vitet e fundit i bandave shqiptare që operojnë në port.

Qindra kontejnerë mbërrijnë në Antverp, pjesë e tyre edhe nga Amerika e Jugut. Shpesh herë bëhet fjalë për produkte si minerale, kafe dhe fruta, që mundësojnë fshehjen e sasive të mëdha të “pluhurit të bardhë”.

Problemi më i madh për narkotrafikantët është dalja e sasisë së drogës nga porti. Zgjidhja e bandave është ajo e brendshme, mbyllja e syve dhe në disa raste edhe bashkëpunimi aktiv i personalet të portit.

Operacione të fundit të policisë, si Operacion Sky që vuri në pranga dhjetëra zyrtarë ose punonjës të korruptuar, zbuloi një skemë tejet të ndërlikuar për t’i arritur qëllimit.

Punonjëse të zyrave të taksave ose të spitaleve, por edhe inspektorë policie, furnizonin bandat me databaza të stafit që punon në port, që i shërbenin bandave për të piketuar ato me rrogë më të ulët dhe probleme familjare më të dukshme, që mund të ishin më të tundueshëm.

Shpesh herë këtyre personave i ofroheshin shuma parash, por disa herë janë kërcënuar ata dhe familjarët e tyre, në rast refuzimi për bashkëpunimin kriminal, i përllogaritur në miliarda euro. Kur vitin e kaluar u zbuluan në portin belg 90 tonelata kokainë me vlerë 13 miliardë euro, përllogaritjet flisnin se ajo sasi e padëgjuar më parë mund të ishte vetëm 10% i trafikut të lëndës narkotike në atë port.  Me qindra shtëpi janë kontrolluar duke zbuluar sasi të mëdha parash, gurësh të çmuar, por edhe uniformash policie dhe veshjesh që përdor stafi i portit, dhe që prej disa kohësh duhet të raportoj autoriteteve të portit humbjen ose dëmtimin e çfarëdolloj uniforme ose leje kalimi, nga frika se mund të përdoren për arsyeje kriminale.

Përtej bandave shqiptare, nuk mungojnë ato lokale, me 34 vjeçarin belg me origjinë marokene Nordin El Hajjioui, që shihet si truri i operacioneve më të mëdha. I arrestuar disa herë, vitin e kaluar në Dubai, për arsyeje të ndryshme ai është liruar gjithmonë.

Trafiku i drogës në Antverp nuk mund të mos kishte pasoja të drejtpërdrejta ekonomike, politike dhe sociale në qytetin belg. Dyqane berberësh dhe sufllaqesh, siç raporton britanikja Daily Mail një reportazh të thelluar, edhe pse në dukje bosh ose me klientelë të pakët, deklarojnë fitime të mëdha, dhe dyshohen si lavatriçe i parave të pista që vijnë nga narkotrafiku.

Një denoncim i tillë vjen edhe nga kryebashkiaku i Anverp, Bart de Wever që shton se biznesmenë të dyshimtë dhe plot para po tentojnë të futen në politikën vendase. “Impakti i krimit të organizuar po rrezikon themelet e shoqërisë tonë”, deklaron ai, që aktualisht po ruhet ditë e natë për shkak të kërcënimeve të marra nga eksponentët kriminalë.