Bota Sinjale pozitive nga Britania e Madhe, regjistron reduktim rastesh pas rihapjes së...

Sinjale pozitive nga Britania e Madhe, regjistron reduktim rastesh pas rihapjes së plotë

Po a po shkon drejt fundit vala e tretë në shtetin me mbulim të lartë vaksinimi? Ekspertët tregohen të matur në parashikime. Ndërkohë, Von der Leyen thotë se 70% e të rriturve në BE janë vaksinuar

Në mesin e shqetësimit dhe paralajmërimeve për përhapjen e variantit Delta anë e kënd globit, raportimet për rënie të infektimeve në Britaninë e Madhe, janë një arsye për të festuar.

Numri i rasteve ditore, në një prej vendeve më përhapjen më të lartë të variantit delta, ka rënë për të 6 ditë radhazi, dukë arritur në rreth 24 mijë. Vetëm një javë më parë ekspertët paralajmëronin për 100 ose 200 mijë raste ne ditë.

Ajo që i jep tone edhe më optimiste panoramës është fakti se ndryshe nga dy valët e tjera, rënia e infektimeve po ndodh pa lockdown, madje vendi është në liri të plotë që prej 19 korrikut. Kthesa është sa e papritur aq edhe e mirëpritur.

Po a po shkon drejt fundit vala e tretë në shtetin me mbulim të lartë vaksinimi?

Ekspertët tregohen të matur në parashikime.

“Është diçka e mirë të shohësh rënie të tillë të shifrave, por na duhet një verifikim i fakteve. Kemi pasur reduktim dramatik por duhet të jemi të kujdesshëm për të mos e ekzagjeruar në interpretim.”, u shpreh Christi Donnelly, profesoreshë i universitetit të Oxford.

Rënia e rasteve të konfirmuara në laborator është vetëm një pjesë e puzzle-it. Të dhënat e tjera, lidhur me personat që janë të infektuar pa simptoma, ata që shtrohen në spital apo edhe studimet e kryera nga zyra e statistikave do të nevojiteshin për të konfirmuar vërtet se rastet realisht po bien. “Dua vërtet të besoj se po kthejmë trajektoren por jam skeptik deri sa të kemi në dispozicion të gjitha të dhënat”, u shpreh Mike Tidesley, nga Universiteti Warwick.

Britania e Madhe ka arritur një nivel të lartë imuniteti, për shkak të vaksinimit të 70% të popullsisë së rritur dhe një numri të madh qytetarësh që e kanë kaluar sëmundjen. E megjithatë ende nuk mund të flitet për imunitet të tufës, kur shumica e qytetarëve do të ishin të mbrojtur duke frenuar përhapjen e virusit. Për rënien e rasteve mund të ketë ndikuar moti i ngrohtë, por edhe mbyllja e Kampionatit Europian të futbollit i cili mund të qëndrojë pas shpërthimit të vrullshëm të infektimeve gjatë muajit qershor.

Von der Leyen: 70% e të rriturve në BE janë vaksinuar

“E mbajtëm premtimin.” Më këto fjalë, presidentja e Komisionit Europian Ursula Von Der Leyen njoftoi se synimi për vaksinimin e 70% të popullsisë së rritur me të paktën një dozë në Bashkimin Europian ishte përmbushur.

“BE e mbajti fjalën duke e përmbushur objektivin. Qëllimi ynë ishte të mbronim 70% të të rriturve në BE me të paktën një dozë të vaksinës, deri në korrik. Sot e përmbushëm këtë synim.”

Siç bëri të ditur Von Der Leyen, niveli i qytetarëve mbi 18 vjeç, të vaksinuar plotësisht qëndron aktualisht në 57%, me synimin e arritjes së 70% deri në fund të verës.

“Të dhënat e vendosin Europën mes liderëve botërore. Procesi i kapjes së ritmit ka qenë shumë i suksesshëm, por ne duhet të vijojmë përpjekjet.”