Aktualitet Skela ra nga kati i 13 i pallatit dhe plagosi dy kalimtarë,...

Skela ra nga kati i 13 i pallatit dhe plagosi dy kalimtarë, 3 persona në pranga

Shërbimet e Komisariatit nr.2 në Tiranë kanë arrestuar 3 persona në lidhje me ngjarjen e së hënës ku në bulevardin “Gjergj Fishta” u plagosën dy kalimtarë nga një skelë që ra nga një pallat në ndërtim.

Të arrestuarit janë Erjon Kanto, 41 vjeç, sipërmarrësi, Zef Kala, 49 vjeç, inxhinieri dhe punëtori 41-vjeç, Elton Osmanllari. Policia sqaron këtë të martë se skela ka rënë nga kati i 13 i pallatit në ndërtim.

Për pasojë mbetën të lënduar Hysen Lavdari, 72 vjeç dhe Imelda Shkëmbi, 38 vjeçe. Policia thotë se ata janë jashtë rrezikut për jetën.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të veprimeve hetimore të kryera për ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, në bulevardin “Gjergj Fishta”, ku nga një pallat në ndërtim e sipër, ra një skelë që dëmtoi dy kalimtarë, arrestuan shtetasit: Elton Osmanllari, 41 vjeç, Erjon Kanto, 41 vjeç dhe Zef Kala, 49 vjeç, të tre banues në Tiranë, të punësuar respektivisht punëtor ndërtimi, sipërmarrës dhe inxhinier, në firmën që kryente punimet për ndërtimin e pallatit.  Ditën e djeshme, në orën 10:00, në bulevardin “Gjergj Fishta”, dyshohet se për shkak të mosrespektimit të rregullave të sigurimit teknik në punë, nga kati i 13-të i pallatit në ndërtim, ka rënë një skelë metalike që dëmtoi 2 kalimtarë të rastit, shtetasit Imelda Shkëmbi, 38 vjeçe dhe Hysen Lavdari, 72 vjeç, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën”, njoftoi policia.

Pallati që po ndërtohet është buzë vendkalimit për këmbësorët dhe për mbrojtjen e tyre nuk është vendosur ndonjë perimetër sigurie apo struktura që pengojnë rënien e sendeve të forta nga lartësia.