Kryesore “Beteja pa kthim vazhdon!”, Berisha shkon për herë të parë në SPAK

“Beteja pa kthim vazhdon!”, Berisha shkon për herë të parë në SPAK

Sot në orën 10:00 ish-kryeministri Sali Berisha u paraqit për herë të parë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme ku do të merret në pyetje sa i takon aferës së ish-klubit sportiv “Partizani”.

Ai doli nga banesa e tij i shoqëruar nga forca policie, por i buzëqeshur duke thënë një fjali të vetme: “Beteja pa kthim vazhdon!”

Para SPAK e pritën me ovacione mbështetës të tij. “O Sali o hero, gjithë Shqipëria ty të do”, ishin brohoritjet njëzëri të këtyre të fundit. Madje një prej demokratëve i tha: Të marrsha të ligat, të marrsha të keqen!

Ndërsa Berisha duke i takuar nga afër tha: “Për të përfaqësuar pluralizmin, PD, jam këtu sot për të denoncuar Edi Ramën dhe grupin kriminal në këtë ndërtesë. Ne do të fitojmë! Fitore!!”

Berisha ndodhet në arrest shtëpiak që prej 30 dhjetorit 2023. Kujtojmë se në kohën kur i ishte caktuar masa e sigurisë “Detyrim paraqitje” ai nuk e zbatoi asnjëherë duke e cilësuar vendimin e gjykatës si antikushtetues. Ish-kryeministri akuzohet për “korrupsion pasiv” lidhur me aferën, për të cilën u prangos edhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi. Ky i fundit është nën hetim për pastrim parash.

Do të jenë prokurorët Enkeleda Minollai dhe Arben Kraja ata që do i drejtojnë pyetje Berishës, ndërkohë që para nisjes së seancës pati forca të shtuara policie para Strukturës së Posaçme.