Aktualitet Skemë mashtrimi për të përfituar para, Gjykata e Tiranës lë në burg...

Skemë mashtrimi për të përfituar para, Gjykata e Tiranës lë në burg Kristjan Lukaj

Kristjan Lukaj është lënë në burg nga Gjykata e Tiranës. I riu nga Shkodra u arrestua nga Policia gjatë operacionit “Repeat” i zhvilluar nga Krimi Ekonomik. Ai dyshohet se në bashkëpunim me Alban Gjoni dhe Rudor Ballën kanë mashtruar një punonjëse (drejtoreshë në kompaninë marketing & distribution) nëpërmjet mashtrimit, duke u prezantuar si përfaqësues të një personi publik, (si Vilma Nushi).

Mësohet se Kristjan Lukaj rezulton të jetë kushëriri i Florian Gjergjit (djali i dajës) ky i fundit vijon të jetë në kërkim i dyshuar si koka e grupeve që kanë kryer edhe më parë mashtrime të tilla.

Lukaj ka thënë para togave të zeza se nuk kishte dijeni se çfarë po ndodhte dhe për skemën e mashtrimit që kishte krijuar Florian Gjergji, Alban Gjoni dhe Rudor Balla. Sipas deklaratave të Lukajt ai ka lëvizur me makinë për të marrë paratë, gjë të cilën ia kishte kërkuar Florian Gjergji, pa i treguar se po mashtronin.

Ndërkohë Alban Gjoni dhe Rudor Balla dyshohet se janë personat që nëpërmjet mesazheve i kanë kërkuar paratë drejtoreshës në kompaninë e Vilma Nushit. Në kërkim për këtë ngjarje është shpallur edhe një 25 vjecar F. L. Më herët janë sekuestruar 8250 Euro, 25 000 Lekë, 1 automjet.

Pas këtyre skemave të mashtrimit dyshohet se fshihet shkodrani, Florian Gjergji i cili është në kërkim.  Sipas hetimeve rezulton se Gjergji krijonte skemat mashtruese dhe më pas përfshinte të tjerë për të vepruar në terren, për të përfituar shuma të mëdha parash nëpërmjet mashtrimit.