Aktualitet Solidariteti për Covid-19, mjekët italianë rrëfejnë eksperiencën në Shqipëri

Solidariteti për Covid-19, mjekët italianë rrëfejnë eksperiencën në Shqipëri

Një përvojë me vlerë, që i ka shërbyer jo vetëm palës shqiptare, por edhe asaj italiane. Të tillë e kanë konsideruar misionin e tyre 2-javor në Shqipëri mjekët e Task-Forcës së Emergjencave Civile Italiane para largimit.

“Ka qenë një përvojë e madhe. Ne po kthehemi duke marrë pas shumë gjëra. Bëhet fjalë për një shkëmbim të mirë opinionesh dhe pikëpamjesh me kolegët shqiptarë që po trajtojnë rastet me Covid”, tha Gianpiero D’offizi, nga Instituti për Sëmundjet Infektive “Lazzaro Spallanzani” Në Romë.

Sipas mjekut D’Offizi, ajo çka ekspertët italianë identifikuan në spitalet shqiptare ishte nevoja e një niveli të duhur organizativ për trajtimin e rasteve me Covid-19.

“Nevojat konkrete, sipas meje kanë të bëjnë me njohjen dhe interpretimin e nivelit organizativ që duhet dhe korrespondon me rëndësinë e sëmundjes që po përballemi”, shtoi ai.

Kurse anëtari tjetër i Task-Forcës italiane, Gaetano Di Pietro, rekomandoi modelin italian për spitalet shqiptare në trajtimin e rasteve me Covid-19.

“Ne propozojmë modelin italian, sepse e kemi vënë në përdorim, e kemi testuar dhe duhet të them se i ka dhënë rezultatet e tij”, tha ai.

Ne fund, dy ekspertet italianë përcollën për Euronews Albania mesazhin se edhe gjatë kësaj pandemie, dy vendet tona u treguan sërish, si edhe me parë, solidarë me njëri-tjetrin.

“Besoj se një nga mesazhet më të rëndësishme që doli nga një situatë e tmerrshme epidemiologjike si kjo, ishte pikërisht mundësia për të rrëzuar barrierat e karakterit politik, të karakterit kulturor, atij social. Duke kërkuar vërtet identifikimin e strategjive të përbashkëta dhe mundësitë për të arritur së bashku në frenimin e kësaj pandemie”, u shpreh D’offizi.

“Të shihnim se tek ne po mbërrinin kolegë shqiptarë, na hapi vërtet zemrën. Ne erdhëm këtu e do të vinim, edhe nëse nuk do të ishte bërë ky veprim. Por ai ishte një sinjal tepër i madh, i një vëllazërie që vërtet na bën të shpresojmë për të ardhmen”, theksoi Gaetano Di Pietro. /Euronews Albania