Bota Sondazhet në Greqi, “Demokracia e Re” 8 pikë përpara “Syriza”

Sondazhet në Greqi, “Demokracia e Re” 8 pikë përpara “Syriza”

Kyriakos Mitsotakis

Qytetarët grekë do i drejtohen kutive të votimit të dielën e 7 korrikut për të zgjedhur qeverinë e re.

Kryeministri Aleksis Cipras i njoftoi zgjedhjet e parakohshme menjëherë pasi partia e tij “Siriza” humbi përballë opozitëës konservatore si në zgjedhjet europiane, edhe në ato vendore.

Lideri i “Demokracisë së Re”, Kirjakos Micotakis, mbetet favoriti edhe në këtë proces elektoral.

Të enjten ai iu drejtua mbështetësve të tij për t’i dhënë mandatin që ta qeverisë vendin pa nevojën e një koalicioni.

Mitsotakis: “Ju kërkoj të më jepni pushtetin për t’i shërbyer vendit tim, për të bashkuar grekët, për t’i qeverisur me efikasitet, me një plan të guximshëm dhe realist.”

Paraprakisht mendohet se demokratët do të marrin më shumë se gjysmën e mandateve në parlamentin me 300 vende, në të kundërt kanë kërkuar zgjedhje të reja.

Përpos Sirizës, në parlament pritet të përfaqësohen edhe partitë e vogla “Lëvizja për Ndryshim”, “Partia Komuniste” dhe ajo neonaziste “Agimi i Artë”.

Zgjedhjet parlamentare të së dielës shihen si një garë për klasën e mesme, që këto vite ka mbajtur peshën më të rëndë të krizës financiare të nisur dekadën e kaluar.

Pas tre vitesh opozitë të ashpër, demokratët e rinj e kanë zbutur retorikën duke u fokusuar te rritja ekonomike, siguria investimet dhe taksat më të ulëta.

Ndërsa kryeministri në largim Cipras pretendon se tani që kriza ka kaluar, ai do të mund të zbatojë programin politik që e solli atë në pushtet katër vite më parë.