Kryesore Sot heshtje zgjedhore, të dielën shqiptarët u drejtohen kutive të votimit

Sot heshtje zgjedhore, të dielën shqiptarët u drejtohen kutive të votimit

Pas një muaji fushate, këtë të shtunë të gjitha palët politike që garojnë në zgjedhjet vendore të së dielës duhet të respektojnë heshtjen zgjedhore.

Të dielën qytetarët do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët në 61 bashki të vendit dhe përfaqësuesit në Këshillat Bashkiakë.

Në zgjedhjet e 14 majit, të drejtën e votës e kanë 3.650.550 shtetas shqiptarë, prej të cilëve 122.545 janë zgjedhës për herë të parë.

Në të gjitha bashkitë e vendit janë 5.211 qendra votimi të cilat do të presin votues nga ora 07:00-19:00.

Në këto zgjedhje garojnë rreth 140 subjekte politike. Sipas të dhënave të pasqyruara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në 44 bashki të vendit në garë do të jenë dy kandidatë, ai i PS-së dhe ai i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, në 14 bashki do të garojnë tre kandidatë pasi listët i shtohet oferta e Partisë Demokratike kurse në Sarandë kandidatët janë 4.

Këto zgjedhje, në tre bashki të vendit, Kamëz, Vorë dhe Elbasan do të votohen në mënyrë elektronike.