Aktualitet SPAK pas takimit me Tabakun: Do administrojmë çdo fakt për çështjen e...

SPAK pas takimit me Tabakun: Do administrojmë çdo fakt për çështjen e inceneratorëve

Godina e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK)

Prokuroria e Posaçme ka njoftuar se sot është zhvilluar një takim mes Drejtuesit të SPAK, Arben Krajës dhe deputetes Jorida Tabaku për çështjen e inceneratorëve. Prokuroria e Posaçme nënvizon se takimi është kërkuar nga deputetja.

Sa i përket hetimeve, SPAK thotë se janë të vendosur që të administrojnë çdo fakt dhe çdo indicie që lidhet me inceneratorët.

SPAK thekson se do merret parasysh çdo informacion që mbërrin në prokurori edhe nga Komisioni Hetimor i ngritur nga Kuvendi.

“Nga ana tjetër, sigurojmë opinionin publik se prokurorët janë të pavarur në veprimtarinë e tyre hetimore, në vendimmarrjen e tyre dhe do të analizojnë me ligjshmëri, objektivitet dhe paanësi çdo pretendim, indicje apo provë që paraqitet nga të gjithë palët që kanë dijeni rreth procesit për të cilin po hetohet”, thuhet në njoftim.