Politika “SPAK po godet njerëz të lidhur me pushtetin”, Rama: Koha e të...

“SPAK po godet njerëz të lidhur me pushtetin”, Rama: Koha e të paprekshmëve ka ikur

Në Tiranë u zhvillua sot takimi i radhës i Këshillit të Stabilizim-Asociimit mes BE-së dhe Shqipërisë.

Në kuadër të këtij takimi ndodhen në Tiranë dy zyrtarët e lartë të Bashkimit Europian, Joseph Borrell dhe komisioneri europian Oliver Varhelyi.

Në konferencën e përbashkët për mediat, kryeministri Edi Rama theksoi se Shqipëria ka bërë hapa domethënë në procesin e integrimit veçanërisht me reformën në drejtësi.

Rama theksoi se drejtësia e re po godet njerëz të lidhur me pushtetin, gjë që sipas tij më parë nuk ka ndodhur kurrë.

“Reforma në drejtësi ka filluar të japë frute domethënëse. Nuk është fushe me lule, ka ferrat dhe gropat e veta, në Shqipëri po ndodh ajo që para shumë kohësh nuk e imagjinonte askush. Drejtësia e re po godet njerëz te lidhur me pushtetin apo jo, po këta të parët kanë më shumë rëndësi. Siç nuk ka ndodhur kurrë në historinë e vendit, po tregohet që koha e të paprekshmëve ka mbaruar. Jam krenar që në rajon Shqipëria është i vetmi vend që e ka hedhur këtë hap, pa parë majtas e djathtas, duke parë drejtë. Kush ka punë me drejtësinë të marrë avokat, PS dhe qeveria nuk ofrojnë shërbime avokatie për askënd”, tha Rama.