Sport Tare shfryn pas Superkupës: Ua dedikoj kërpudhave pas shiut

Tare shfryn pas Superkupës: Ua dedikoj kërpudhave pas shiut

Lacio në qiellin e shtatë pas triumfit ndaj Juventusit në Riad. Skuadra e Tomas Strakoshës fitoi 3-1, ashtu si në kampionat, edhe në finalen e Superkupës së Italisë, me gola të shënuar nga Luis Alberto, Luliç dhe Kataldi. Një sukses i madh për Lacion, duke ditur që përballë kishte Juventusin, ekipin më të fortë italian për momentin. Kanë festuar gjatë Igli Tare dhe Tomas Strakosha, duke e shijuar deri në maksimum këtë trofe.

Tare, drejtori sportiv i Lacios, ishte i papërmbajtshëm pas ndeshjes, ndërkohë që nuk kanë munguar thumbat për skeptikët. Lacio është shfaqur një ekip i madh dy herë radhazi ndaj Juventusit dhe Tare ka merita të padiskutueshme, sepse është ai që e ka ndërtuar këtë grup. Për “Lazio Style Radio” Tare ka deklaruar: “Dua t’ua dedikoj këtë trofe edhe kërpudhave që dalin pas shiut. Është edhe për ata, sepse nuk mund të hipësh në makinë vetëm kur fiton, por edhe kur humb. Dhe para së gjithash, në ato momente që Lacio ka nevojë për njerëzit e tij”.

Janë fjalë për ata që flisnin më parë për një sezon të kompromentuar të skuadrës bardhekalër, pas disa oshilacionesh, mbi të gjitha pas humbjes me Spalin dhe disa paraqitjesh zhgënjyese në Ligën e Europës, që kulmuan me eliminimin nga ky kompeticion. Prej fundit të tetorit Lacio ka nisur një ecuri të jashtëzakonshme, me 8 fitore radhazi mes kampionatit dhe Superkupës, trofeut të dytë të fituar në pak muaj. Dhe “kërpudhat”, tani që shiu ka pushuar, kanë dalë hapur, ndaj dhe Tare ka reaguar.

Në finalen e Superkupës, Strakosha bëri një paraqitje të mirë. Ka edhe ai një pjesë të fajit në golin e realizuar nga Dibala, pasi nuk mundi të shtynte sa duhet topin e gjuajtur nga Ronaldo, duke i dhënë mundësi argjentiansit ta dërgonte në rrjetë. Në pjesën tjetër, portieri kuqezi i ka dhënë siguri repartit të prapavijës.