Aktualitet Shuhet shkrimtari disident Mehmet Myftiu, u dënua si nga nazistët, ashtu edhe...

Shuhet shkrimtari disident Mehmet Myftiu, u dënua si nga nazistët, ashtu edhe nga komunistët

Mehmet Myftiu është shkrimtar i shquar disident, themelues i letërsisë realiste pas Luftës së Dytë Botërore.

Myftiu vuajti egërsinë e dy diktaturave: të diktaturës naziste, që e dënoi me vdekje në kampin e internimit në Prishtinë dhe të diktaturës komuniste që e dënoi, i hoqi të drejtën e të shkruarit dhe e bëri cigareshitës.

Vitin e kaluar, në 2018, nën kujdesin e shkrimtares Besa Myftiu, vajza e Mehmetit, u botua dhe u përurua libri me poezi me titullin “Nuk i dua thinjat”.

Libri “Nuk i dua thinjat” përmbledh 21 poezi dhe ka 34 faqe, poezi të Mehmet Myftiut të cilat u nxorën nga pluhuri i harresës nga e bija e tij.

Kjo ishte një dhuratë për shkrimtarin në 88-vjetorin e lindjes.

Shkrimtari Mehmet Myftiu e lidh fatin me historinë e vendit të vet, që në moshën 12-vjeçare, në Lëvizjen Nacional Çlirimtare.

Por e bija rrëfen se ai vuajti internimin në dy kampe, atë nazist në Prishtinë, dhe në periudhën komuniste në Shqipëri, ku lindi edhe romani “Shkrimtari”, i pari roman disident, për të cilin regjimi e dënoi si reaksionar.

Romani i Myftiut, “Shkrimtari” (1964), botuar në version të plotë vetëm në vitin 1995, është një dëshmi e asaj çka u ndodhi disidentëve të viteve 1950, përfshirë edhe autorin vetë.