Politika Tërmeti, dy kategoritë e familjeve që nuk do t’ju rindërtohet shtëpia

Tërmeti, dy kategoritë e familjeve që nuk do t’ju rindërtohet shtëpia

Jo të gjithë të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit do të përfitojnë nga Qeveria ndihmë për të rindërtuar shtëpitë. Në mbledhjen e kësaj të shtune të Qeverisë, Kryeministri Edi Rama foli për dy kategori që nuk mund të kërkojnë strehim për tërmetin.

Kategoria e parë janë familjet që deri para tërmetit kanë qenë të pastrehë dhe jetonin me qira.

“Familjet që para tërmetit kanë rezultuar të pastrehë dhe që banojnë në shtëpi me qira, të cilat janë në rregull, nuk mund të kërkojnë strehim për tërmetin”, sqaroi Kryeministri.

Kategoria tjetër është ajo e familjeve që shtëpitë e tyre grupet e verifikimit do t’i përcaktojnë si ndërtesa me standard të ulët kushtesh para tërmetit. Rama tha se kjo kategori është identifikuar paraprakisht.

“Kategoria tjetër është ajo e banesave me një standard të ulët kushtesh. Është kategoria e identifikuar paraprakisht. Para dy javësh kemi pasur edhe një takim për të parë si mund të adresojmë këto familje. Edhe këto familje nuk mund të hyjnë te ata që janë prekur nga tërmeti”, tha Rama.

Po në këtë mbledhje, Qeveria thotë se për të gjitha kategoritë e tjera, do të ofrohet brenda mesit të muajit dhjetor shtëpia e re dhe mbështetje financiare për të gjithë jetën për persona që kanë humbur të afërm, pensionistë, nxënës e studentë, ndërsa të gjitha familjeve pa përjashtim do t’u dhurohen menjëherë 10 milionë lek të vjetra, duke përfshirë këtu edhe familjen e dy vëllezërve nga Kosova.