Extra Tom Hanks dhe Rita Wilson bëhen shtetas grekë

Tom Hanks dhe Rita Wilson bëhen shtetas grekë

Tom Hanks dhe Rita Wilson janë zyrtarisht shtetas grekë. Në një postim në rrjetet sociale, ku ishin fotografuar me kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, dy aktorët amerikanë treguan me krenari pasaportat helene që i mbanin në duar.

Ata dhe fëmijët e tyre u bënë shtetas grekë që vitin e kaluar, një shpërblim nga qeveria për alarmin që ata ngritën për zjarret që kapluan Greqinë në vitin 2018, ku u shkrumbuan sipërfaqe të mëdha pranë Athinës dhe mbi 100 vetë humbën jetën.

“Tom Hanks tregoi interes ndaj njerëzve që vuajtën nga zjarri në Mati dhe e ngriti këtë çështje në mediat botërore”, tha për CNN kryeministri grek.

Wilson, e cila është pjesërisht me origjinë greke dhe Hanks, i konvertuar në besimtar ortodoks, janë parë shpesh të kalojnë pushimet e tyre në Greqi, ku kanë edhe një pronë në ishullin Antiparos. Të dy kanë prodhuar disa filma bazuar në komunitetin grek dhe nuk kanë ngurruar asnjëherë të shprehin admirimin për Greqinë dhe grekët.