Bota Tragjedia në Greqi, qeveria shpall 3 ditë zie kombëtare

Tragjedia në Greqi, qeveria shpall 3 ditë zie kombëtare

Përplasja kokë më kokë e dy trenave, pasagjeresh dhe mallrash, në orët e vona të së martës pranë qytetit të Larisës është shndërruar në atë që sipas mediave greke, është tragjedia më e rëndë hekurudhore në historinë e vendit.

Të paktën 40 persona janë konfirmuar të vdekur dhe 66 të plagosur, disa prej të cilëve në gjendje kritike dhe po trajtohen ne terapi intensive. Megjithatë ekziston frika se bilanci mund të rritet pasi një serë personash janë ende të bllokuar në vagonët e parë të trenit të pasagjerëve, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë. Një prej të mbijetuarve rrëfen ato që i quan sekondat e tmerrit.

“Dëgjuam një zhurmë të fortë, ishin 10 sekonda tmerri; po rrotulloheshim nëpër vagonë deri sa ramë në një krah. Kishte panik, kabllo kudo dhe zjarr. Flakët shpërthyen menjëherë teksa po përmbyseshim, dhe vinin nga e majta dhe e djathta”, thotë një i mbijetuar.

Treni i pasagjerëve që besohet se po udhëtonte nga Athina drejt Selanikut me rreth 350 pasagjerë në bord, u përplas kokë-më- kokë me një tren mallrash që lëvizte në drejtimin e kundërt në luginën e Tembit, pak pas mesnatës.

Sipas raportimeve shumica e pasagjerëve thuhet të jenë të rinj që po ktheheshin nga një ekskursion të zhvilluar me rastin e Kreshmës Ortodokse. Në rrethana që ende mbeten për t’u sqaruar, të dy trenat po udhëtonin në të njëjtën shinë, çka ka shkaktuar edhe përplasjen e dhunshme. Operacioni i shpëtimit ku janë përfshirë mbi 150 zjarrfikës, 17 automjete, 4 vinça dhe rreth 40 autoambulanca, është fokusuar tek tre vagonët e parë të trenit të pasagjerëve, të cilët dolën nga shinat pas aksidentit. Një prej tyre u përfshi nga flakët dhe disa persona mbetën të bllokuar.

“U përmbysëm; një zjarr shpërtheu pranë nesh. Një burrë pa një vrimë dhe ne arritëm të dilnim”, tha një tjetër i mbijetuar.

Policia e përshkroi këtë si një aksident tragjik dhe tha se hetues nga Athina dhe Selaniku ishin mobilizuar për të asistuar autoritetet lokale. Kryeministri Kiriakos Mitsotakis shpalli 3 ditë zie kombëtare.