Bota Trump paralajmëron: SHBA mund të shkojë në luftë!

Trump paralajmëron: SHBA mund të shkojë në luftë!

Presidenti Donald Trump ka paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të shkojnë në luftë.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë ofroi të hënën një përshkrim konfuz të prioriteteve të tij të politikës së jashtme, duke këmbëngulur se ai po punonte për të sjellë në shtëpi ushtarë amerikanë, por paralajmëroi se SHBA së shpejti mund të hyjë në konflikte të reja ushtarake.

“Po përpiqem të dal nga luftërat. Por mund të na duhet të futemi edhe në luftëra. Në rregull? Mund të duhet të futemi në luftëra”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

Shënjestra e kësaj deklarate të papritur ishte Irani. “Ne jemi më të përgatitur seç kemi qenë”, vazhdoi ai. “Nëse Irani bën diçka, ata do të goditen siç nuk janë goditur më parë”.

Paralajmërimet e presidentit amerikan vijnë ndërkohë që administrata e tij përballet me përshkallëzimin e tensioneve në Lindjen e Mesme dhe lëvizjeve të reja të trupave në rajon.

Trump ditët e fundit ka lavdëruar marrëveshjen e përkohshme për armëpushim të arritur nga Zëvendës Presidenti Mike Pence me Presidentin Rexhep Taip Erdogan, me qëllim ndalimin e ofensivës ndaj luftëtarëve kurdë në verilindje të Sirisë.

Ndërkohë, direktiva e Trumpit për të tërhequr trupat amerikane nga Siria ka bërë që zyrtarët e Pentagonit të paralajmërojnë se mund të përballen me kërcënimin e një ringjalljeje të mundshme të militantëve të Shtetit Islamik.

Por pas tërheqjes nga Siria dhe pretimeve të Trumpit për të ndalur përfshirjen e SHBA në “luftëra të pafundme”, Sekretari Amerikan i Mbrojtjes Mark Esper njoftoi në fillim të këtij muaji se do të vendoste një valë tjetër trupash në Arabinë Saudite për të ndihmuar në mbrojtjen e mbretërisë nga regjimi i Iranit.

Marrëdhëniet diplomatike midis Uashingtonit dhe Republikës Islamike janë përkeqësuar gjithnjë e më shumë që nga vendimi i Trump për tërheqjen e SHBA-së nga pakti bërthamor dhe sanksioneve kundër Teheranit, të cilat kanë provokuar aktet agresioni rreth Gjirit Persik.

Që nga ardhja në detyrë në fillim të vitit 2017, Trump ka kërkuar një marrëveshje të re bërthamore me Iranin, duke braktisur paktin e nënshkruar në vitin 2015 nga të dyja vendet, së bashku me Kinën, BE-në, Francën, Gjermaninë, Rusinë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Trump ka akuzuar Teheranin për financimin e grupeve militante dhe ndërtimin e raketave balistike.

Nuk janë të paktë ata që frikësohen se tërheqja e SHBA-së mund të ketë sjellë një luftë katastrofale në Lindjen e Mesme, e cila duket se po troket dita-ditës

“New York Times” nuk ka nguruar ta krahasojë rritjen e tensioneve me Iranin me Luftën e Irakut të vitit 2003, e cila solli përmbysjen e presidentit irakian Saddam Hussein. Sipas saj, pushtimi amerikan tronditi mbarë rajonin dhe nxiti një kryengritje myslimane që fuqizoi grupet që do të formonin më pas grupin militant të Shtetit Islamik. Ai fuqizoi edhe Iranin, duke i dhënë Teheranit një ndikim të fuqishëm politike në rajon.

Frika e përsëritjes së një skenari të ngjashëm në Irak ka ardhur edhe nga fakti se ish-këshilltari i Trump për Sigurinë Kombëtare, John Bolton, luajti një rol kyç në pushtimin e Irakut. Akuzat se Sadam Hussein po prodhonte armë të shkatërrimit në masë erdhën pas raporteve të pakonfirmuara të inteligjencën dhe nuk janë vërtetuar kurrë.