Kryesore Trump për pandeminë: Mund të përkeqësohet, para se të përmirësohet

Trump për pandeminë: Mund të përkeqësohet, para se të përmirësohet

Bilanci nga pandemia koronavirus në Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të bëhet shumë keq përpara se të përmirësohet. Paralajmërimi erdhi nga vetë presidenti Donald Trump, i cili nxiti qytetarët që të mbajnë një maskë mbrojtëse nëse nuk mund të ruajnë distancimin fizik nga personat e tjerë përreth tyre.

Në konferencën e parë për shtyp në disa muaj, të fokusuar tek pandemia, Trump u tha të vërtetën reporterëve në Shtëpinë e Bardhë lidhur me situatën emergjente në SHBA. “Jemi në një proces të zhvillimit të një strategjie që do të jetë shumë e fuqishme. Disa zona të vendit tonë po ia dalin mirë, disa të tjera jo dhe aq mirë. Me shumë mundësi, për fat të keq, situata do të shkojë shumë keq përpara se të përmirësohet. Kjo është diçka që nuk do doja ta thosha, por kështu është”.

Ky është një ndryshim rrënjësor në politikën e presidentit Trump ndaj emergjencës shëndetësore të shkaktuar nga Covid-19. Kohët e fundit minimizoi ashpërsinë e virusit për të lejuar rihapjen e ekonomisë amerikane, por kjo qasje e tij binte shpesh në kundërshtim me këshillat e ekspertëve shëndetësorë.

Në konferencë, kreu i Shtëpisë së Bardhë foli edhe për zhvillimin e një vaksine. “Ne jemi shumë afër arritjes së një vaksine. Mendoj se do të kemi shumë rezultate të mira. Aktualisht po i testojmë”.

Ndërkohë, shifrat ditore vazhdojnë të përkeqësohen në SHBA. Mbi 1 mijë viktima dhe 74 mijë raste të reja me koronavirus u regjistruan në 24 orët e fundit. Që prej shpërthimit të pandemisë, në total numërohen 3,9 milionë amerikanë të prekur dhe 142 mijë jetë të humbura.