Politika PS kërkon mbledhje të këshillit, Rama: Opozita mos ta braktisë dialogun

PS kërkon mbledhje të këshillit, Rama: Opozita mos ta braktisë dialogun

Partia Socialiste kërkon mbledhjen e Këshillit Politik të Reformës Zgjedhore pasditen e sotme në orën 17:00.

Kërkesa është bërë nga përfaqësuesi i socialistëve, Damian Gjiknuri.

Kryeministri Edi Rama, në një postim në Twitter, i ka bërë thirrje PD-LSI që të mos braktisë dialogun trepalësh dhe të ulet në tryezën e Këshillit Politik për të diskutuar ndryshimet kushtetuese për hapjen e listave për të cilat ra dakord me opozitën parlamentare.

“Sot në 17:00 është propozuar nga ana jonë përmes Damian Gjiknurit mbledhja e Këshillit Politik. Përsëris apelin për OP jashtëparlamentare që të mos e bojkotojë Këshillin Politik dhe të vijojmë dialogun tripalësh së bashku me OP parlamentare, për reflektimet e risive kushtetuese”, shkruan Kryeministri Rama në Twitter.

Një ditë më parë, Kryeministri Edi Rama arriti marrëveshjen me deputetët opozitarë Myslym Murrizi, Edmond Stojku dhe Nimet Musain për të votuar në Parlament marrëveshjen e 5 Qershorit që u arrit mes PS-PD-LSI. Për të siguruar votat e marrëveshjes së 5 Qershorit, Rama gjeti gjuhën e përbashkët me grupin e deputetëve të udhëhequr nga Murrizi për të ndryshuar Kushtetutën për hapjen e listave të deputetëve.