Bota Turizmi grek drejt një sezoni katastrofik në 2020-n

Turizmi grek drejt një sezoni katastrofik në 2020-n

Turizmi grek po shkon drejt një sezoni katastrofik në verën e këtij viti për shkak të pandemisë Covid-19, deklaroi sot kreu i organizatës së operatorëve turistikë të vendit, Apostolos Tsilidis.

“Ky vit është një katastrofë”, i tha ai transmetuesit grek ”Real”, duke i vlerësuar humbjet deri në 22 miliardë euro.

Pasiguria për kushtet e udhëtimit pasi të hiqen ndalimet, gjithashtu pritet të përkeqësojë situatën.

“Vetëm imagjinoni se çfarë mund të ndodhë nëse linjat ajrore janë urdhëruar të ulin pasagjerët një rresht po dhe një rresht jo në një aeroplan me 180 vende”, tha Tsilidis.

Të hënën, organizmi i operatorëve grekë të hoteleve citoi një studim sipas të cilit dy në tre pronarë hotelesh kishin frikë nga falimentimi dhe parashikonin humbje prej rreth 4,5 miliardë euro.

Hotelierët po kërkojnë ndihmë përmes uljes së taksave dhe kredive të lira dhe i kanë vlerësuar nevojat e tyre të menjëhershme në 1,8 miliardë euro.

Turizmi dhe industritë e lidhura me të gjenerojnë rreth 30% të PBB-së së Greqisë.

Ato e ndihmuan shumë vendin ballkanik gjatë krizës 10-vjeçare që kaloi Greqia.