Bota Vala e dytë e godet me pasoja të rënda: Çfarë ndodhi me...

Vala e dytë e godet me pasoja të rënda: Çfarë ndodhi me strategjinë suedeze?

A funksionoi strategjia suedeze për koronavirusin? Stokholmi, ndryshe nga fqinjët e tij skandinavë, nuk imponoi karantinë dhe zgjodhi t’i besonte më shumë përgjegjësisë së individëve sesa masave mbylljes. Dhe pagoi një çmim shumë të lartë me numër të infektuarish dhe vdekshmëri të lartë, përkatësisht 166 707 raste dhe 6 082 vdekje, shumë më e lartë se ajo e Norvegjisë, 26 511 raste pozitive dhe 285 vdekje, dhe Danimarkës, 58 466 të infektuar dhe 753 njerëz që humbën jetën.

Kjo strategji duhej ta kishte mbrojtur Suedinë nga vala e dytë. Të paktën kjo ishte teza që mbështeti epidemiologu-guru i qeverisë Anders Tegnell: “Ne nuk kemi rikthimin e sëmundjes që kanë shumë vende – siguroi ai në një intervistë në shtator. – Në vjeshtë do të shohim se çfarë ndryshimi do të bëjë pasja e një strategjie më të qëndrueshme, e cila ruhet për një kohë të gjatë, në vend të strategjisë së mbylljes, hapjes dhe mbylljes pa pushim”.

Por tani që vjeshta ka mbërritur, shtrimet në spital për Covid-19 në Suedi janë më të larta se në pjesën tjetër të Europës dhe 20% e njerëzve që i janë nënshtruar testit janë pozitivë në Stokholm. Me pak fjalë, vala e dytë goditi rëndë, pavarësisht nga imuniteti i tufës që duhej të ishte krijuar falë mungesës së bllokimit. “Deri më tani strategjia suedeze ka qenë një dështim”, i tha “Financial Times” Lena Einhorn, virologe suedeze, kritike për qasjen e adoptuar. “Katër ditë më parë i kishim tetë herë më të larta se Finlanda rastet në raport me numrin e popullsisë dhe tre herë e gjysmë më shumë se Norvegjia. Ata duhej të ishin më keq se ne në vjeshtë, sepse ne do të kishim imunitet”.

Çfarë ndodhi? Tegnell nuk jep shpjegime: “Është një mister i madh të kuptosh se kush e ka arritur imunitetin dhe kush jo“, tha ai për Financial Times, duke vazhduar megjithatë të argumentojë se strategjia e miratuar është më e qëndrueshme. Por të dhënat, tani për tani e bëjnë atë përgjegjës.