Aktualitet VIDEO/ Grabitja në argjendari, momenti kur gruaja i merr armën Astrit Thaçit

VIDEO/ Grabitja në argjendari, momenti kur gruaja i merr armën Astrit Thaçit

Këto janë pamjet e grabitjes së argjendarisë mesditën e 15 shkurtit në lagjen “Aqif Pasha” në Elbasan nga 27-vjeçari Astrit Thaçi, i cili u arrestua më pas në Tiranë.

Pamjet janë shkëputur nga kamerat e sigurisë së argjendarisë së shtetases A. B që ndodhej brenda në momentin e ngjarjes.

Grabitësi Astrit Thaçi hyn si blerës normal në argjendari. Ai përshëndet pronaren e argjendarisë dhe i kërkon të provojë një unazë.

Pasi ka provuar disa, Thaçi nxjerr pistoletën nga brezi dhe i kërkon që të mos lëvizë, ndërsa ajo tenton të largohet. Pasi mendon se ka neutralizuar gruan, Thaçi fillon të marrë orenditë e arit që gjenden në banak duke i futur nëpër xhepa. Ndërkohë që grabitësi fut bizhuteritë e arit në xhepa në mënyrë të pakujdesshme lë pistoletën në banak, rast i cili shfrytëzohet nga gruaja, e cila ia merr pistoletën dhe largohet nga dyqani e ndjekur nga Astrit Thaçi me vrap.

Pas daljes nga dyqani me pistoletën e Thaçit në dorë, pronarja ka bërtitur duke kërkuar ndihmë. Ajo shprehet se është futur me një dyqan tjetër dhe nuk e ka parë grabitësin nga shkoi.

I pari që ka mbërritur për të ndihmuar ka qenë oficeri i policisë që gjendej te dera e Drejtorisë së Policisë së Elbasanit, pasi argjendaria ndodhet vetëm 15 metra larg Drejtorisë së Policisë së Elbasanit

“Ishte ora 12 e drekës. Fillimisht mendova se ishte klient pasi më kërkoi të provonte disa unaza floriri. Pastaj dola jashtë të kërkoja ndihmë, u futa me një dyqan tjetër, grabitësin nuk e pashë nga shkoi”, është shprehur ajo.

Policia e arrestoi 27-vjeçarin të shtunën në mbrëmje në Kombinat në Tiranë pas identifikimit, ndërsa iu zbuluan edhe një sërë vjedhjesh të tjera.

Sipas policisë në momentin e arrestimit të tij, atij i janë gjetur dhe sekuestruar 17 varëse floriri, dy ora dore floriri, 20 byzylykë floriri dhe 51.700 lekë të reja.

Një ndër vjedhjet e kryera është ajo në shtëpinë e Rexhep Tereziut më 10 shkurt, ku ky i fundit mbeti i plagosur, pasi e pikasi pronari i shtëpisë. Nga ana tjetër, ai është autor edhe i grabitjes së pikës Kredo. al më 8 shkurt, ku i armatosur dhe me maskë arriti të marrë një sasi prej 100 mijë lekësh, si dhe një sërë vjedhjesh të tjera në Tiranë.

Mbi 27-vjeçarin rëndojnë akuzat për veprën penale “Vjedhja me armë, e mbetur në tentativë”, “Plagosja e rëndë me dashje”, Vjedhja me dhunë” dhe “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit”. 27-vjeçari rezulton i dënuar edhe në Itali me 7 vite heqje lirie, pasi edhe atje kishte kryer grabitje.