Extra Viti më i keq në historinë e njerëzimit

Viti më i keq në historinë e njerëzimit

Epoka e zezë, viti më i keq në të cilin ka jetuar një qenie njerëzore. Shumë më keq se viti 1349, kur murtaja e zezë vrau gjysmën e popullsisë evropiane dhe viti 1918, me rreth 50 milion vdekje nga gripi spanjoll. Padyshim më keq se viti 2020 i Covidit. Nëse do të kishte një makinë kohe, askush nuk do të donte të kthehej në atë vit. Do të duhej të jetonte në dekadën më të ftohtë të mijëvjeçarëve të fundit, me një temperaturë deri në 2.5 gradë më të ulët. Një kohë kur bimët nuk mund të rriteshin dhe uria ishte masive. Në Kinë, dëbora binte në mes të verës. Dhe mbi të gjitha, një mjegull e dendur mbështillte gjithçka dhe shtrihej nga kontinenti aziatik në Lindjen e Mesme, duke i zënë diellin gjithë Evropës. Natën hëna dhe yjet nuk shiheshin.

Historiani bizantin Prokopi shkruante se dielli nuk shkëlqente më dhe mund të mendohej se kishte kelips gjatë gjithë kohës. Nuk kishte luftëra, madje as murtajë, por njerëzit thjesht prisnin momentin fatal. Cassiodorus, një politikan romak, shkruante se hijet ishin zhdukur, dielli ishte bërë blu dhe stinët ishin bashkuar në një. Analet galike irlandeze regjistrojnë një rënie të prodhimit të bukës nga viti 536 në vitin 539.

Ishte një ngjarje ekstreme, i cili ndryshoi të gjithçka në fare pak kohë. Jo pak ishin ata që në atë kohë menduan se ky ishte fundi i botës.

Një studim i kryer në vitin 1990, gjatë të cilit u analizuan unazat që formohen në trungjet e pemëve, tregoi se në vitet rreth vitit 540 ishin regjistruar vera shumë të ftohta. Një studiues nga Universiteti i Bernës, duke krahasuar këto të dhëna me ato të marra nga akulli, gjeti të njëjtat rezultate, dhe arriti në përfundimin se shkaku mund të ishte një shpërthim i dhunshëm vullkanik.

Arkeologët në Kembrixh dhe Harvard e konfirmuan këtë teori: mjegulla duhet të ketë qenë për shkak të një shpërthimi vullkanik që ndodhi në Islandë dhe që kishte ndryshuar rrënjësisht klimën, siç ndodhi në 1815 për shkak të shpërthimit të vullkanit Tambora (Indonezi) ose në 1991 me Pinatubo (Filipine). Kimikate të shumta, së bashku me hirin, janë shpërndarë në atmosferë. Midis tyre dioksidi i squfurit, i cili, duke u përzier me avujt e ujit, vepron si pasqyrë drejt rrezeve të diellit, dhe për pasojë ftoh tokën. Nëse përqendrimi i grimcave është i madh dhe shpërthimi është i fuqishëm, ato arrijnë stratosferën. Kështu formohet një aerosol i errët, i cili çon në krijimin e një reje të përhershme.

Studime më të vona të kryera nga Harvardi në akullnajën Gnifetti të Monte Rosa kanë dhënë informacione të tjera. Falë analizës me lazer që u është bërë shtresave të akullit, një teknikë që garanton saktësi shumë të lartë, është vënë re se shpërthimit të parë në fillim të vitit 536, dy të tjera ndodhën në 540 dhe 547, duke shkaktuar stanjacion të ekonomisë në një pjesë ta madhe ët globit.

Akullnaja Gnifetti ka një sediment 72 metra të lartë dhe lejon të gjenden gjurmët e asaj që ka ndodhur deri në 2 mijë vjet më parë. Përdoret për shembull për të studiuar dinamikën e rërës së Saharasë. Viti 536 korrespondon me një sasi të madhe të dioksidit të karbonit, dioksidit të squfurit, hirit. Dhe konfirmon që shtresa e smogut ishte shumë e qëndrueshme.

Sikur të mos mjaftonte kjo, pas urisë dhe klimës së keqe në 541 erdhi murtaja, që vrau 55 për qind të popullsisë dhe goditi rëndë Perandorinë Romake Lindore dhe vetë perandorin Justinian.

Por historia e Romakëve është shenjuar edhe nga një shpërthim tjetër, i cili ndodhi në Alaskë, i cili, si tjetri, solli të ftohtë dhe uri. Ndodhi në të njëjtën kohë me vrasjen e Cezarit dhe shënoi fundin e republikës. Në të njëjtën kohë, mori fund edhe dinastia Ptolemaike e faraonëve. Duke u kthyer pas në kohë, mund të themi se, në vend që t’ua kemi frikën pandemive, duhet të mbajmë nën vëzhgim edhe atë që ndodh në zemrën e nxehtë të Tokës. / Bussines Insider