Aktualitet Vrasja e biznesmenit Ruzhdi Hoxha, prokuroria kërkon arrest me burg për vëllezërit...

Vrasja e biznesmenit Ruzhdi Hoxha, prokuroria kërkon arrest me burg për vëllezërit Rrushi

Në foto biznesmeni Ruzhdi Hoxha

Dosja për vrasjen e biznesmenit Ruzhdi Hoxha pritet të mbërrijë këtë të hënë në dyert e Gjykatës.

Prokuroria ka kërkuar masën e sigurisë arrest me burg për Fredi Rrushin, autorin e dyshuar të vrasjes së 43-vjeçarit, i cili rezultonte i zhdukur prej dy javësh dhe u gjet i vrarë në malet e Qafë Mollës, në Dajt të shtunën.

Edhe për vëllain e tij, Pajtim Rrushin, i arrestuar të dielën për ngjarjen e rëndë, organi i akuzës do të kërkojë arrest me burg. Vëllezërit Rrushi do të dalin para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë ditën e martë.

Një ditë më parë, autoritetet thanë se është bërë e mundur zbardhja e autorësisë së kësaj ngjarje. Fredi Rrushi, dyshohet si autor i rrëmbimit dhe i vrasjes së Hoxhës. Po ashtu ai akuzohet se është dhe porositësi dhe organizatori i kultivimit të bimëve narkotike në fshatin Ballenj, ku u arrestua 2 persona.

Ndërsa vëllai i tij Pajtim Rrushi akuzohet për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës” dhe “ Fshehje ose asgjësim i kufomës“,  i dyshuar si bashkëpunëtor në ngjarje.

Policia sqaron se Fredi Rrushit i është komunikuar dhe masa e ndalimit për tre vepra penale “Vrasje me paramendim” “Kultivim i bimëve narkotike” dhe “Fshehja e kufomës”.