Aktualitet Vrasja e Pjerin Xhuvanit, arrestohet autori i dyshuar, truproja e Gazment Bardhit

Vrasja e Pjerin Xhuvanit, arrestohet autori i dyshuar, truproja e Gazment Bardhit

Policia ka arritur të arrestojë një prej autorëve të dyshuar të ngjarjes së rëndë të ndodhur në Elbasan këtë të mërkurë, ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani.

Në pranga ka përfunduar Arbër Papleka, i cili është edhe truproja i Gazment Bardhit, koordinatorit të Partisë Demokratike në Elbasan, por edhe ish-pjesëtar i forcave RENEA. Në polici ndodhet edhe vetë Bardhi, i cili me sa duket ka qenë i përfshirë, ku po jep deklarimet e para për ngjarjen.

Pjerin Xhuvani

Pjerin Xhuvani mbeti i vrarë pas një përplasjeje me armë mes të paktën 6 personave në lagjen “5 Maji” në Elbasan. Përveç viktimës, nga përplasja ka edhe 3 persona të plagosur, njëri prej të cilëve efektiv i Policisë.

Përplasja duket se ka shkaqe politike, pak ditë para zgjedhjeve të 25 prillit. Partia Demokratike pretendon se një makinë ishte duke qarkulluar në lagjen “5 Maji”, pranë një zyre elektorale të PD, ku sipas anëtarëve të kësaj të fundit po shpërndanin para në këmbim të votave për Partinë Socialiste.