Kryesore Xhafaj kundër Xhaferllarit: Meta ka nxjerrë një dekret të paligjshëm

Xhafaj kundër Xhaferllarit: Meta ka nxjerrë një dekret të paligjshëm

Ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka deklaruar se Marsida Xheferllari nuk plotëson kushtet dhe kriteret për tu emëruar anëtare e Gjykatës Kushtetuese.

Në një postim në rrjetet sociale, Xhafaj shprehet se sipas tij Presidenti, në këtë rast nuk ka të drejtë. “Nuk të bën betimi gjyqtare, por kushtetueshmëria e zgjedhjes nga organi që e gëzon këtë të drejtë, me afatet e procedurën e duhur”, shprehet ish-ministri.

Më tej, Xhafaj, si ish kryetar i Komisionit të Reformës në Drejtësi shprehet se zbatimi i reformës kërkon angazhim e përgjegjshmëri dhe kryesorja objektivitet e paanshmëri.

Komenti i plotë:

Në web e Gjykatës Kushtetuese znj.Tusha ka botuar listën e anëtarëve të rinj! Pyetja është kë të besojmë, znj.Tusha n/kryetare të KED që ka shpallur znj.Vorpsi fituese apo znj.Tusha gjyqtare që nuk respekton as vendimin e organit që drejton. Në cilin kuorum të GjK u bazua kjo vendimmarrje?

Në bindjen time znj.Xhaferllari nuk mund të jetë anëtare e GjK. Nuk plotëson kushtet dhe kriteret për të qenë e tillë. Votimi klientelist dhe lidhjet shoqërore brenda KED e përfshinë në listë ish Kryeinspektoren e KLD së vjetër që degradoi sistemin.

Presidenti, sipas meje, në këtë rast nuk ka të drejtë. Ka nxjerrë një dekret të paligjshëm në tejkalim të afatit ligjor. Nuk të bën betimi gjyqtare, por kushtetueshmëria e zgjedhjes nga organi që e gëzon këtë të drejtë, me afatet e procedurën e duhur.

Kushtetuta që Presidenti e ka votuar, por nuk e ka shkruar, është produkt i Ekspertizës më të mirë vendase e. Opinioni i KV ka theksuar qartë domosdoshmërinë e afateve & mekanizmave zhbllokues. Partnerët bashkëhartues të kushtetutës e ligjit të GjK duhet të reagojnë qartë.

Zbatimi i Reformës kërkon axhendë të qartë veprimi, angazhim e përgjegjshmëri dhe kryesorja objektivitet e paanshmëri. Situata e koklavitur, jo për faj të kushtetutës e ligjit, por gabimeve në zbatim. Pasojë e mendjeve të nxehta e qëllimkëqija.

Kur arsyeja mungon, fryma dhe gërma e kushtetutës lexohen keq, duhet reagim. Kryesorja me mekanizma politikë, por edhe me veprime të mirëmenduara ligjore, institucionale dhe gjyqësore. Nëse duhet ka edhe precedentë e ekspertizë ndërkombëtare.