Yjet e popit, Dua Lipa, Rita Ora dhe Bebe Rexha, kanë shprehur mbështetjen e tyre për Shqipërinë në mediat sociale, pas tërmetit vdekjeprurës që mori dhjetëra jetë njerëzish.
“Ju sugjeroj që kushdo që mundet, të gjejë një familje apo një organizatë bamirëse apo një mënyrë për të ndihmuar në rindërtimin e shtëpive të viktimave të tërmetit. Familja e parë që kam zgjedhur unë të ndihmoj, është familja Sala, dhe ne do të ndjekim progresin në këtë rast dhe ato të familjeve të tjera që kanë nevojë për të njëjtën ndihmë” shkruante Rita Ora në “facebook” duke ndarë edhe një link për donacionet.
Ndërsa Dua Lipa, shkruan ndër të tjera në “Instagram”: “Si gjithnjë, ne jemi të bashkuar dhe të gjithë bashkë kërkojmë mënyrat më të mira për të ndihmuar familjet e prekura, fëmijët që kanë humbur prindërit, prindërit që kanë humbur fëmijët dhe miqtë që kërkojnë të gjejnë njëri tjetrin dhe të jenë atje për të dashurit e tyre”.
Përveç donacioneve private, Dua Lipa tha se do të punonte me stilistë shqiptarë për një projekt për mbledhje fondesh për viktimat e tërmetit.
“Ne kemi dhënë prova se jemi të fortë dhe në momente të tilla ne bëhemi bashkë si komb”, tha ajo.
Ndërsa Bebe Rexha, tha se ajo do të vizitonte Shqipërinë për ti dhënë njerëzve ushqim, ujë, e për ti ndihmuar të ndërtojnë shtëpitë e tyre.
“Shumë prej jush e dini se unë dhe familja ime jemi nga Shqipëria. Ndaj unë kam vendosur të hap një llogari për të ndihmuar të gjithë njerëzit në nevojë. Do të shkoj personalisht në Shqipëri për të garantuar që paratë të përdoren atje ku është më shumë e nevojshme”.
Dhe brenda pak orësh, u arrit objektivi prej 100 mijë dollarësh të mbledhura prej saj.