Aktualitet Zbardhet dëshmia e vëllezërve Beqiraj: Si u vra gabimisht i riu në...

Zbardhet dëshmia e vëllezërve Beqiraj: Si u vra gabimisht i riu në Don Bosko dhe u plagosën 4 të tjerë

Erion Çela mbeti i vrarë dhe 4 personat e tjerë që ndodheshin me të në tavolinë u plagosën, teksa pinin kafe në një lokal në Don Bosko pasditen e 4 Janarit.

Objektiv në fakt ishte Geron Hasanbelliu dhe dy nipërit e tij, por pre e plumbave ranë 5 persona të pafajshëm.

Një ditë pasi policia e Durrësit njoftoi shkatërrimin e një grupi që kryente vrasje me pagesë duke vënë në pranga 15 persona, e duke zbardhur disa ngjarje kriminale, detaje të reja kanë dalë në dritë nga dëshmia e vëllezërve Gentjan e Indrit Beqiraj.

Për vrasjen në Don Bosko, policia po verifikon edhe një herë nëse ditën e ngjarjes, Geron Hasanbelliu ishte ose jo në lokal.

Para hetuesve dy vëllezërit Beqiraj kanë deklaruar: “Kevin Zeneli, një i njohuri ynë na ofroi punë. Kevin tha se do na jepte një punë që e kishte porositur Kasandër Noga. Kevini na tregoi fotografinë e Geron Hasanbelliut. Duhet ta gjenim, ta vëzhgonim dhe eliminonim. E gjetëm në Don Bosko, prandaj morëm dhe shtëpi me qira aty. E kemi ndjekur gati gjithë muajin Dhjetor 2021. Dy ditë para Vitit të Ri u dorëzuam dhe i thamë Kevinit se nuk mund ta kryejmë dot, sepse është objektiv i vështirë. Makinën që kishim marrë për të kryer ngjarjen ia dhamë Kevinit. Më pas më 4 janar ngjarjen e kreu ai me mjetet që kishim siguruar ne”.