Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, në një shkresë drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, ka kërkuar që deputetët të plotësojnë një formuluar ku të deklarojnë nëse kanë përdorur aplikacionet SkyEcc dhe Encrochat.
Pjesë nga shkresa e Bardhit:
Gjithashtu, nga burime të ndryshme mediatike janë hedhur dyshime serioze se në aktet e dërguara nga autoritetet franceze, belge dhe hollandeze të drejtësisë, rezultojnë komunikime edhe të deputetëve të tjerë me eksponentë të krimit të organizuar, për kryerjen e aktiviteteve të paligjshme. Këto dyshime ngrenë pikëpyetje mbi integritetin, etikën dhe besueshmërinë jo vetëm të deputetëve, por edhe të vetë institucionit të Kuvendit të Shqipërisë, i cili ka për funksion themelor të sigurojë përfaqësimin dinjitoz të qytetarëve dhe një proces ligjbërës të udhëhequr nga interesi publik.
Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, si përfaqësues të qytetarëve, duhet të mishërojnë standardet më të larta të integritetit profesional dhe moral, etikës dhe ligjshmërisë. Ekzistenca e komunikimeve në aplikacionet e enkriptuara, që dihet botërisht se përdoreshin nga grupet kriminale, me qëllim ushtrimin e aktiviteteve të paligjshme, dëmton rëndë reputacionin dhe kredibilitetin e deputetëve dhe Kuvendit të Shqipërisë.
Prandaj, nisur edhe nga modeli i përdorur për punonjësit e Policisë së Shtetit, të miratuar me urdhërin nr. 196, datë 04.12.2023 të Ministrit të Brendshëm, me qëllim ruajtjen e standardeve më të larta etike dhe të integritetit, është propozuar detyrimi i çdo deputeti të Kuvendit të Shqipërisë, për të plotësuar formularin e vetëdeklarimit “Mbi përdorimin e aplikacioneve SKY ECC dhe ENCROCHAT”.
Neni 62/2, i propozuar për t’u shtuar në Rregulloren e Kuvendit, parashikon, krahas detyrimit për plotësimin e formularit të vetëdeklarimit, modelin e vetëdeklarimit, afatin e dorëzimit të këtij formulari, strukturën administruese, pasojat e plotësimit me të dhëna të rreme, publikimin në faqen zyrtare të Kuvendit, në përputhje me parimin e transparencës, dhe përcjelljen për dijeni Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Si shprehje e vullnetit të plotë për miratimin e kësaj dispozite, deputeti propozues i këtij projektvendimi, do të dorëzojë bashkëlidhur edhe formularin e vetëdeklarimit “Mbi përdorimin e aplikacioneve SKY ECC dhe ENCROCHAT”, të plotësuar.