Aktualitet Zgjatet afati i vlefshmërisë së pasaportave që skadojnë këtë vit

Zgjatet afati i vlefshmërisë së pasaportave që skadojnë këtë vit

Këshilli i Ministrave ka miratuar sot një akt normativ nëpërmjet të cilit i zgjat vlefshmërinë e pasaportave që skadojnë përgjatë këtij vitit deri më 31 dhjetor 2020.

“Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit dhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe të ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave vendosi:

Neni 2

Në ligjin nr.8668, datë 23.10.2000, “Për pajisjen e shtetasve shqiptarë me pasaportë për jashtë shtetit”, të ndryshuar, pas nenit 14/2 shtohet neni 14/3, me këtë përmbajtje:

“Neni 14/3

Dispozitë kalimtare

Afati i vlefshmërisë së pasaportave të shtetasve shqiptarë, që përfundon brenda vitit 2020, zgjatet deri në datën 31 dhjetor 2020”, thuhet në VKM.

Vendimi për shtyrjen e vlefshmërisë së pasaportave deri në fund të vitit vjen pas zvarritjes së procesit të aplikimit për pasaporta biometrike për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi.

Për një periudhë aplikimet u ndërprenë, ndërsa rinisja e aplikimeve bëhet tashmë me ritme shumë të ngadaltë me qëllim parandalimin e përhapjes së mëtejshme të virusit.