Kryesore Zgjedhja e kreut të ri të SPAK, Kim: Të mos ndikohet nga...

Zgjedhja e kreut të ri të SPAK, Kim: Të mos ndikohet nga ata që duan të manipulojnë hetimet

Ambasadorja Yuri Kim, ka shkruar nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, se javët e fundit është takuar me çdo anëtar të KLP-së. Ajo thotë se është nënvizuar rëndësia e zgjedhjes së një kryetari të ri të SPAK që do të intensifikojë pa frikë dhe favore luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Sipas saj, procesi i përzgjedhjes së kreut të ri të SPAK nuk duhet të ndikohet nga ata që duan të manipulojnë hetimet. Sipas saj, prokurorët dhe gjyqtarët duhet t’i trajtojnë të gjithë të barabartë përpara ligjit.

Kim shprehet se Reforma në Drejtësi është kërkesë e drejtë e popullit shqiptar dhe SHBA do të vazhdojë ta mbështesë këtë. Kim thekson se SHBA do të monitorojmë nga afër procesin e përzgjedhjes në SPAK.

“Gjatë javës së fundit jemi takuar me çdo anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) për të nënvizuar rëndësinë e zgjedhjes së një kreu të ri të SPAK, i cili do të intensifikojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, pa frikë apo favore. Procesi i përzgjedhjes nuk duhet të ndikohet nga ata që kanë interes të kufizojnë ose manipulojnë hetimet. Ky është thelbi i reformës në drejtësi: drejtësia duhet të jetë e verbër ndaj pushtetit, prokurorët e gjyqtarët duhet t’i trajtojnë të gjithë si të barabartë para ligjit, institucionet duhet të jenë të pavarura.

Reforma në drejtësi nuk është vetëm një kusht për anëtarësimin në BE; është kërkesë e drejtë e popullit shqiptar. SHBA do të qëndrojë gjithmonë me popullin e Shqipërisë. Ne do të vazhdojmë të mbështesim me vendosmëri zbatimin e reformës në drejtësi. Kjo nuk do të ndryshojë. Do të monitorojmë nga afër procesin e përzgjedhjes për SPAK për t’u siguruar që reforma në drejtësi të ecë përpara”, u shpreh ajo.

Për kreun e ri të SPAK kanë dorëzuar pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë kandidaturat e tyre tre prokurët Adnan Xholi, Edvin Kondili e Altin Dumani.