Aktualitet 50 raste të reja me COVID-19, humb jetën 69-vjeçari nga Kruja

50 raste të reja me COVID-19, humb jetën 69-vjeçari nga Kruja

Gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë janë kryer 330 testime, nga të cilat 50 raste kanë rezultuar pozitive me COVID-19.

Në komunikimin e përditshëm me publikun, dr. Eugena Tomini nga Instituti i Shëndetit Publik, tha se gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 28 persona, duke e çuar në 1114 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.

“Shpërndarja gjeografike e të identifikuarve pozitivë në 24 orët e fundit është si vijon: 17 raste në Tiranë, 6 në Krujë, 5 në Lezhë, nga 4 raste në Shkodër, Durrës, Fier, 3 në Korçë, 2 raste në Vlorë dhe Elbasan dhe nga 1 rast përkatësisht në Kurbin, Mirditë dhe Sarandë,

Një pacient 69 vjeçar nga Kruja me leukozë akute, ka ndërruar jetë në spitalin infektiv, i prekur nga Covid19. Pavarësisht mjekimit intensiv prej 10 ditësh dhe përpjekjeve të stafit mjekësor, nuk arriti të mbijetojë. Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllime familjes së të ndjerit.

Në 24 orët e fundit ka rritje të të shtruarve në spitalin infektiv. Aktualisht po marrin shërbim 64 pacientë, 7 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa 1 është i intubuar.

Në vendin tonë janë aktualisht 682 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë”, tha ajo.