Aktualitet 500 teste fiktive për Covid, arrestohet një farmaciste në Lezhë, shpallet në...

500 teste fiktive për Covid, arrestohet një farmaciste në Lezhë, shpallet në kërkim administratorja

Një rast i dhënies së testeve false Covid është goditur nga policia në Lezhë. Një farmaciste me iniciale K.L. 25 vjeç është arrestuar, ndërsa administratorja e kësaj farmacie A.U. 35 vjeçe është shpallur në kërkim.

Policia thotë se dy të sipërpërmendurat jepnin teste false anti-Covid për qytetarët kundrejt shumave monetare.

Qytetarët dërgonin vetëm kartën e identitetit dhe sipas kërkesave të tyre, testi me përgjigje pozitive paguhej 100 Euro, ndërsa testi me përgjigje negative paguhej 50 Euro. Nga hetimet e deritanishme, dyshohet që me këto teste fiktive janë pajisur rreth 500 persona të ndryshëm.

Gjithashtu, është proceduar në gjendje të lirë shtetasi A. D., 49 vjeç, banues në Lezhë, administrator i një subjekti privat biznes, i cili dyshohet se tek biznesi i tij kryente tampon/ testin e SARS-Cov-2, në kundërshtim me procedurat e përcaktuara në ligjin për testin SARS-Cov-2.

Gjatë kontrollit të ambientit, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 3 vula, 1 aparat telefonik iPhone, certifikata/teste të shtetasve të ndryshëm me rezultate pozitive e negative, si dhe fotokopje dokumentesh identifikimi të shtetasve të pajisur me këto teste fiktive e të falsifikuara.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve shëndetësore”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.