Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen deklaroi se është shpresëplotë që një vaksinë kundër koronavirusit mund të jetë gati deri në fund të këtij viti.
”Dy nga ekipet më premtuese të kërkimit janë me qendër në Europë”, tha Von der Leyen për gazetën gjermane ”Bild am Sonntag”.
“Shpresoj që ata të zhvillojnë një vaksinë deri në fund të vitit”, pohoi ajo duke përmendur se ka plane për të filluar testet klinike së shpejti.
“Do të duhet të mësojmë të jetojmë me virusin për shumë muaj, ndoshta deri në vitin e ardhshëm”, theksoi ajo.
“Të moshuarit të kufizuar deri në fund të vitit”
Kontaktet e personave të moshuar në Europë me mjedisin e tyre duhet të mbeten të kufizuara të paktën deri në fund të vitit për shkak të epidemisë së koronavirusit, paralajmëroi presidentja e Komisionit Europian.
“Pa vaksinë duhen kufizuar sa më shumë të jetë e mundur kontaktet me të moshuarit, veçanërisht ata që jetojnë në azile”, deklaroi Ursula von der Leyen për të përditshmen gjermane “Bild”.
“E di që është i vështirë dhe që izolimi ndikon, por është një çështje për jetë a vdekje, ne duhet të qëndrojmë të disiplinuar dhe të duruar”, theksoi ajo.
“Fëmijët dhe të rinjtë do ta gëzojnë më shpejt lirinë e lëvizjes sesa personat e moshuar dhe ato me probleme të mëparshme mjekësore”, theksoi drejtuesja gjermane e ekzekutivit europian duke nënvizuar se shpresonte për zhvillimin e një vaksine nga një laborator europian nga fundi i vitit.
“Kështu që ne të mund të vaksinohemi shpejt, jemi tashmë në diskutime me prodhuesit mbi kapacitetet globale të prodhimit”, shtoi ajo.