Pas deklarimit të kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis, për zgjerimin me 12 milje të hapësirës së tyre detare, çështja e detit u rikthye në diskutimin politik dhe publik në Shqipëri dhe Greqi.
Ndërkohë që negociatat për një marrëveshje të dytë me Greqinë janë ndërprerë, kryeministri Edi Rama sheh si zgjidhje dërgimin e çështjes në Gjykatat Ndërkombëtare, ose me ndërmjetësimin e një palë të tretë.
Kjo zgjidhje duket se është pranuar dhe nga pala greke, teksa ministri i jashtëm Niko Dendias e konfirmoi këtë për Euronews.
Ish-komandanti i Forcave Ushtarake Detare, Vladimir Beja tha për Euronews Albania se një pjesë të fajit për këtë çështje e ka qeveria shqiptare, teksa kujtoi se është rasti i parë që një Gjykatë Kushtetuese rrëzon një marrëveshje të vendit të vet.
Ai e konsideron shqetësues faktin që prej kaq shumë kohësh nuk është arritur në një marrëveshje që sipas tij është e nevojshme.
Ish-komandanti i FA iu referua shtetit grek si përgjegjës për ngritjen e tensioneve politike teksa nënvizoi se tashmë nuk bëhet fjalë për “përcaktim kufijsh”, siç thuhet shpeshherë, por quhet saktësim i detit territorial, i cili është njësoj si sipërfaqja tokësore dhe përcaktimi i zonave të tjera detare shoqëruese.
“Shqipëria e ka mbaruar marrëveshjen me Italinë dhe nuk asgjë kemi të ndarë as me Greqinë as me Malin e Zi, pra nuk e kemi të delimituar dhe nuk kemi të ndarë zonën ekonomike ekskluzive dhe shelfin kontinental. Këtu është çështja”, tha Beja.
Ai solli dhe njëherë në vëmendje se Greqia ka tentuar dy herë të zgjerojë hapësirën detare dhe nuk është lejuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.
Sipas tij ndryshimi i “rregullave të lojës” që Greqia po bën në mes të marrëveshjes, duke dashur ta zgjerojë hapësirën detare nga 6 në 12 milje, është një qëndrim arrogant dhe prepotent, i cili nuk çon në marrëveshje.
“Unë jam i bindur që çdo zgjerim territorial i detit të Greqisë në veri të ishujve Othonoi dhe Ereikousa nga 6 deri në 12 milje prek interesant kombëtare të shtetit shqiptar”, u shpreh ish-komandanti i forcave detare, teksa nënvizoi se mirëkuptimi dhe negociatat janë mënyra më e mirë për ta arritur marrëveshjen.