Policia e Vlorës ka zbardhur tentativën e vjedhjes me armë dy ditë më parë në fshatin Kropisht të Selenicës dhe ka arrestuar 5 autorët e dyshuar.
Këta të fundit tentuan të vidhnin një banesë dhe u prezantuan si punonjës policie. Nën kërcënimin e armës, u përpoqën të hynin në banesën e qytetarit me iniciale F.C., por tentativa e tyre dështoi.
Pas hetimeve të shpejta, policia identifikoi autorët e dyshuar dhe arrestoi Alfred Shametaj 31 vjeç, Lulzim Elmazaj 29 vjeç, Endrit Sinaj 26 vjeç, Enerik Meçaj 34 vjeç dhe Ervin Dhima 39 vjeç.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy automjete, atë tip “Benz” me të cilin u larguan autorët dhe automjetin e markës “Nissan” me të cilin udhëtonte shtetasi A. Sh. në momentin e kapjes nga policia.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Vlorës për veprat penale “Vjedhje me armë” e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.