Pjesa e vendimit të SHBA për të shpallur “non grata” ishin edhe familjarët e ish-Kryeministrit Sali Berisha. I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Sali Berisha është shprehur se bashkëshortja e tij punon pa pagesë prej 15 vitesh në një fondacion për fëmijët autikë.
“Bashkëshortja ime ka punuar gjithë jetën e vetë në të njëjtën lagje dhe bashkëshortja ime nuk ka qenë kurrë anëtare e asnjë bordi për të marrë shtesë rroge. Ndoshta mund të jetë nga më të paktat që ka 15 vite që punon çdo ditë pa asnjë qindarkë me fondacionin për fëmijët autikë. Çfarë ka përfituar bashkëshortja ime. I ke përmendur tjetrit gruan, duhet të kesh ca baza kur ja përmend. Është e nderuar me çmime të larta të autizmit, të grave demokrate, të Kongresit amerikan”.
Berisha foli edhe për fëmijët e tij, ndër të cilët tha për djalin se nuk ka lidhje me Gërdecin dhe nuk ka përfituar para publike.
“Djali im në jetën e tij ka marrë 3 ose 4 muaj rrogë në një ndërmarrje publike dhe nuk ka marrë kurrë më asnjë rrogë. Nuk ka përfituar qoftë dhe 1 qindarkë nga sektori publik. Pushteti im si Kryeministër shtrohet në sektorin publik. Ai nuk ka përfituar një qindarkë në sektorin publik.
Gërdeci? Aq sa ke lidhje ti me Gërdecin ka lidhje djali im. Të faktuara janë se gjithçka ka qenë gënjeshtër.
Vajza ime ka bërë bilancin këtu në studio me ty. Ajo ka punuar 7 vite në Kosovë me dhëndrin dhe së bashku kanë përfituar 1milion e 400 mijë dollarë. 400 mijë i kishin përdorur dhe 1 milion i kanë kursyer. Akuzat për Argitën kanë qenë të gjitha pa bazë.
Akuzat janë fund e krye politike”, tha Berisha në Opinion.
Më tej ish-kryeministri tha se në 30 vite politikë ai nuk ka shkuar asnjë pasuri, përveç 34 metrave katrorë shtëpi.
“Deklarata është absolutisht pa asnjë bazë. Do e marrim rresht për rresht. Është në mënyrë absolute pa asnjë bazë. Kurrë nuk ka patur Sali Berisha akuzë për keqpërdorim të fonde publike. Kjo është për të dyja periudhat, kur kam qenë Kryeministër dhe më pas. Por të marrim kohën kur kam qenë Kryeministër, nuk ka pasur asnjë deklaratë për keqpërdorim fondesh.
Absurdi shkon deri aty ku thotë se pasuron aleatët. Aleatët pasurohen kur pasuron veten. Unë nuk mund të kuptojë kurrë një njeri që pasuron aleatët dhe jo veten. Ka nonsens aty se nuk kanë asnjë të dhënë. Sali Berisha sot pas 30 vitesh ka pasuri të shtuar 30 metra katror shtëpi dhe ka pasuri që janë të deklaruara. Nuk ka pasuri të tjera as në Shqipëri dhe në botë. Kush do që i gjen i ka të falura dhe unë mbaj përgjegjësi”, tha Berisha.