Behgjet Pacolli ka reaguar sërish në lidhje me vrasjen e Liridona Ademaj, nga bashkëshorti Naim Murseli.
Përmes një postimi në Facebook, Pacolli thotë se analistë të caktuar në media po tentojnë të njollosim imazhin dhe reputacionin e të tjerëve vetëm për të përfituar vëmendje mediatike.
Në reagimin e tij Pacolli sqaron se nuk mori dot pjesë në varrimin e Liridonës, për shkak të angazhimeve të planifikuara prej kohësh, por thekson se në ceremoni kanë marrë pjesë familjarët dhe bashkëpunëtorët e tij.
“Nga largësia, vërej disa insinuata të individëve me sjellje skizofrenike që shfrytëzojnë tragjeditë si ajo e Liridonës për të tërhequr vëmendjen në platformat mediatike dhe krijuar ndonjë “imazh”.
Është kritike të dallohen dhe kundërshtohen deklaratat paqëndrueshme dhe pa fakte të disa “debatuesve” apo “analistëve” që njollosin imazhin dhe reputacionin e të tjerëve vetëm për të përfituar vëmendjen publike. Kjo ndihmon në ngritjen e nivelit të bisedës dhe transparencës së informacionit për publikun, duke theksuar seriozitetin e mediave.
Për të sqaruar publikun, po ndjek një rrugë të gjatë dhe të planifikuar prej 6 muajsh, që më ka penguar të marr pjesë në varrim (gjë për të cilën janë kujdesur vëllezërit, familja dhe bashkëpunëtorët e mi)”, shkruan Pacolli në Facebook.
Kujtojmë se Naim Murseli ka qenë aktivist i AKR dhe ish-këshilltar i Pacollit, por jo bashkëpunëtor i rrethit të tij të ngushtë.