Pas përfundimit me drejtuesit e qarqeve, në kuadër të “Rienergjizimit të PS” dhe anëtarësimeve të reja, kryeministri Edi Rama u shpreh se objektivi kryesor i kësaj force politike është “50 mijë anëtarë të rinj deri në Kongresin e Qershorit.”
Më tej Rama është përballur me pyetjet e gazetarëve në lidhje me lajmin që ka qarkulluar ditët e fundit në media për një interesim të dhëndrit të ish-presidentit Donald Trump, Jared Kushner për të investuar në ishullin e Sazanit.
Sipas Ramws, në zyrat e qeverisë ka mbërritur një propozim në lidhje me këtë çështje, të cilin e konsideroi fantastik dhe një mundësi të shkëlqyer për turizmin shqiptar, teksa shtoi se ai do t’i nënshtrohet të gjithë ligjeve në fuqi.
“Nuk zgjedhim persona. Ne në bazë të legjislacionit i referohemi ofertave dhe propozimeve që na bëhen. Transformimi i Sazanit në një xhevahir të kurorës së turizmit mesdhetar është një ambicie e kahershme që e kanë pasur dhe qeveritë e mëparshme. Nuk u bë realitet. Më parë ishte e paimagjinueshme që të vinin investitor në një vend të damkosur. Sot Shqipëria është bërë një adresë e kërkuar jo vetëm nga turistët por edhe investitorët. Ne jemi të kënaqur që kemi një propozim. Ai nuk është ende në procesin që duhet të kalojë në disa shkallë. Është bërë një aplikim në AIDA dhe nëse ai përputhet me vizionin tonë për krijimin e një ekuilibri të domosdoshëm mes zhvillimit dhe mbrojtjes së natyrës, atëherë do të ecim përpara”, tha Rama.
Akuzave se një pronë e shqiptarëve po dhurohet, kryeministri Rama shtoi se të gjitha vendet kanë ligje favorizuese për zhvillimin e turizmit dhe nuk la pa përmendur dhe nismën e mëparshme të qeverisë Berisha, “Shqipëria 1 euro”, për të cilën tha se në parim nuk e kundërshton.
“Sa i përket zhvillimeve të sipërmarrjes bazuar te investimet e huaja, të gjitha vendet kanë ligje favorizuese dhe sa i përket zhvillimeve në turizëm është një garë e egër se kush i ka kushtet më favorizuese që të tërheqë investitorët e mëdhenj. Nuk falim asgjë që është e shqiptarëve edhe pse në parim nuk isha kundër as ndaj asaj “Shqipëria 1 euro”, por ne sot jemi në kushtet kur shqiptarët janë pjesë e investimit në portin e Durrësit, pasi aty përmes shtetit nuk është bërë asnjë falje, por është përfshirë dhe interesi i shqiptarëve. Investimi ynë në portin e ri që do të jetë një aset i shqiptarëve do të thotë që kemi zgjedhur mes dy alternativave atë të dhënies të një kompanie të huaj si investitorëve dhe pasi porti të ndërtohet, shqiptarët do të kenë më shumë të ardhur më shumë nëse do të ndërtohej nga privati”, shtoi kryeministri.
Kreu i qeverisë gjithashtu u shpreh se këto projekte të mëdha si në Sazan apo dhe në portin e Durrësit rrisin ekonominë dhe ripërsëriti qëndrimin se kjo mazhorancë nuk do të negociojë asnjëherë interesat e shqiptarëve.